A ju kujtohen atletet e Balenciaga-s të shitura për 1800 dollarë, të dizajnuara që të dukeshin të konsumuara? Apo trikot me pellush artificial dhe bluzat e bardha të ‘Maison Margiela’-s që imitonin djegien e hekurit? Prej vitesh, moda ka treguar një vëmendje të vazhdueshme ndaj papërsosmërisë, duke e shfaqur atë përmes veshjeve të qëllimshme të njollosura, të dëmtuara apo “të shkatërruara”. Dhe si çdo trend që rikthehet, kjo estetikë po bën sërish jehonë, këtë herë me forcë të re.
Rikthimi po ndodh te ‘Prada’. Gjatë Javës së Modës në Milano, Miuccia Prada dhe Raf Simons prezantuan koleksionin e meshkujve vjeshtë-dimër 2026, të titulluar ‘Before and Next’. I rrënjosur në histori, por njëkohësisht aktual, koleksioni sfidon idenë tradicionale se rrobat “rriten” bashkë me njeriun dhe reflektojnë përvojat e tij personale.

Mes kapelave, çantave prej lëkure të mbajtura nën sqetull, palltove trench me disa shtresa dhe një morie ngjyrash që varionte nga lejlaja, kakia dhe bluja e errët, një element spikati veçanërisht: veshjet e njollosura qëllimisht.

“Njollat” shfaqeshin nën pallto të ngushta dhe pulovra me dekolte të rrumbullakët. Edhe kanotieret, këmishët me mëngë të gjata dhe xhaketat me zinxhir dukeshin sikur ishin spërkatur me kafe. Në shikim të parë, këto veshje mund të duken të çuditshme, por pamja e tyre e konsumuar ka një qëllim të qartë dhe të mirëmenduar.

Njollat, çngjyrimet dhe madje edhe rrudhat e qëllimshme janë një dëshmi e kalimit të kohës. Ato përfaqësojnë një refuzim të pritshmërisë për të qenë gjithmonë “perfekt”. Për Prada-n, rrobat nuk janë thjesht copa materiali, por objekte që mbajnë kujtesë.

Ideja është që veshjet, ashtu si një pallto e vjetër e gjyshit, të jenë dëshmi e një jete të jetuar plotësisht. Në njoftimin zyrtar për shtyp, ‘Prada’ thekson këtë filozofi duke deklaruar se rrobat, “duke mbartur gjurmët e jetës, nënvizojnë rëndësinë e kohëzgjatjes” dhe se “të kujtosh është një shenjë respekti”.

Ky mesazh i fuqishëm, se veshjet mbajnë histori dhe emocione, është thelbi i suksesit dhe ndikimit që pritet të ketë estetika e re e ‘Prada’-s. Në një epokë ku imazhi i përsosur shpesh dominohet nga filtrat dhe uniformiteti, ‘Prada’ zgjedh të përqafojë papërsosmërinë si një formë elegance autentike.












