Avokati Redi Ramaj, anëtar i Forumit të Dialogut Politik, një grupim apolitik i prezantuar së fundmi, ka folur në studion e News24 mbi rolin e këtij forumi në përpjekjet për të afruar dhe bashkuar faktorët opozitarë në vend.
Ramaj bëri të ditur se përfaqësuesit e forumit kanë zhvilluar takime me Partinë Demokratike, Partinë Mundësia të drejtuar nga Agron Shehaj, si dhe me “Shqipëria Bëhet” të drejtuar nga Adriatik Lapaj, me qëllim identifikimin e pikave të përbashkëta mes forcave opozitare. Sipas tij, këto takime do të vijojnë edhe me aktorë të tjerë opozitarë.
Ai theksoi se Forumi i Dialogut Politik nuk synon të krijojë një subjekt politik apo të zëvendësojë partitë ekzistuese, por të shërbejë si një hapësirë ndërmjetësimi mes tyre. “Ne jemi qytetarë të lirë, pa përkatësi partiake, por të shqetësuar për mbarëvajtjen e opozitarizmit në vend”, u shpreh Ramaj.
Sipas tij, megjithëse bashkimi i plotë i të gjitha forcave opozitare është provuar më parë dhe ka rezultuar i vështirë, ekzistojnë disa çështje kyçe që mund t’i sjellin ato në një tryezë të përbashkët. Mes tyre, Ramaj përmendi reformën në Kodin Zgjedhor, funksionimin e drejtësisë, si dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ramaj tha se nga kontaktet e deritanishme ka pasur gatishmëri nga partitë opozitare për të diskutuar mbi këto tema dhe për të gjetur një emërues të përbashkët. Ai shtoi se negociatat dhe bisedimet janë ende në proces.
“Ka sinjale pozitive që së shpejti të organizohet një tryezë opozitare, ku të diskutohen tema gjithëpërfshirëse për partitë pjesëmarrëse”, deklaroi Ramaj, duke nënvizuar se qëllimi i forumit është forcimi i rolit të opozitës përmes bashkëpunimit mbi çështje themelore.
