Kolosi i letrave shqipe, Ismail Kadare do të festonte sot 90 vjeç. Shkrimtari ynë i shquar, lindi më 28 janar 1936 në lagjen Palorto të Gjirokastrës. Në këtë 90-vjetor, ministri Blendi Gonxhja, duke e cilësuar si një kolos të letrave shqipe, shprehet se, gjeniu Kadare, la pas një testament të përjetshëm, një vlerë të paçmuar, shenjues të identitetit tonë kombëtar. “Përulemi plot nderim përpara madhështisë së një prej shkrimtarëve më të shquar të letërsisë shqiptare. I paharruar”, shprehet ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja.
Ismai Kadare ishte shkrimtari shqiptar më i shquar brenda e jashtë kufijve të vendit. Me “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” (1963), pena Kadaresë i kapërceu kufijtë e atdheut, megjithë izolimin komunist. Karriera e Kadaresë shënoi kulme të tjera me “Kështjella”, botuar në vitin 1970, “Krushqit janë të ngrirë”, i cili flet mbi demonstratat e vitit 1981 të shqiptarëve të Kosovës, “Kronikë në gur” (1970), “Nëpunësi i Pallatit të ëndrrave” (1981), i cili veçohet si më i lakuari në tërësinë e veprës së Kadaresë. Në vjeshtën e vitit 1990, Kadare u largua drejt Francës dhe u rikthye në atdhe pas zhvillimeve të para demokratike.
Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit”. Prej vitit 1996, shkrimtari shqiptar u bë anëtar i asociuar (përjetësisht) i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës. Në tetor 2023 presidenti francez Emmanuel Macron, në Tiranë, e ngriti në gradën e Oficerit të Lartë, në Urdhrin e Legjionit të Nderit.
Ai u vlerësua me një sërë çmimesh ndërkombëtare (“Man Booker Prize”, “Princi i Asturias” etj.), si i përzgjedhur në radhët e shkrimtarëve botërisht të njohur, sikurse Gabriel Garcia Marquez, Günter Grass dhe Milan Kundera. Veprat e tij janë përkthyer në 45 gjuhë të botës.
