Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar ashpër nga Konferenca e Kryetarëve, duke akuzuar mazhorancën për shkelje të rëndë të parimeve të parlamentarizmit dhe të rregullores së Kuvendit, në lidhje me trajtimin e mandatit të deputetes Belinda Balluku.

Zhupa deklaroi se Kuvendi i Shqipërisë nuk mund të trajtohet si një formalitet bosh, duke theksuar se mazhoranca po e zhvesh institucionin nga thelbi i tij. “Po e ktheni procesin ligjvënës në një formalitet, pa debat real dhe pa informimin e qytetarëve,” tha ajo. Sipas deputetes, ligjet po miratohen përmes seancave me rend dite të paqarta, ku grumbullohen njëherësh projektligje me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve. Ajo e cilësoi të papranueshme miratimin e ligjeve në orët e para të mëngjesit. “Në orën 3 të mëngjesit qytetarët as nuk mund të ndjekin, as të informohen për ligjet që i prekin drejtpërdrejt,” u shpreh Zhupa.

Zhupa tha se kjo mënyrë funksionimi përbën një shkelje të rëndë të parimeve të transparencës, debatit dhe përfaqësimit demokratik, duke dëmtuar besimin e publikut te Kuvendi dhe institucionet shtetërore. Ajo akuzoi gjithashtu mazhorancën për shkelje sistematike të të drejtave të opozitës, duke përmendur mosvënien në votim të komisionit hetimor për fondet IPARD, mungesën e garancive për procesin e dy komisioneve të reformës zgjedhore dhe territoriale, si dhe moszbatimin e rregullores së Kuvendit për mandatin e Belinda Ballukut.

Sipas Zhupës, mazhoranca po shpik lidhje mes Gjykatës Kushtetuese dhe Kuvendit që, sipas saj, nuk ekzistojnë. “Atje kemi një çështje për një anëtare të Këshillit të Ministrave, këtu kemi një çështje për imunitetin e një deputete,” theksoi ajo. Deklaratat e Zhupës vijnë në një moment tensioni politik në Kuvend, ndërsa opozita ka paralajmëruar se do të vijojë kundërshtimin ndaj mënyrës së funksionimit të parlamentit dhe trajtimit të çështjeve që lidhen me mandatin e deputetëve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: