Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, zhvilloi një takim me Clarisse Pasztory, Zëvendës Ambasadore e OSBE-së në Tiranë, ku u diskutuan zhvillimet politike, institucionale dhe zgjedhore në vend.
Gjatë takimit, Gjekmarkaj shprehu falënderimet për raportin e OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet e 11 majit, një raport që dokumenton fazën elektorale dhe evidenton problematika serioze si bashkimi i partisë me shtetin, përdorimi i burimeve publike dhe shkelje të standardeve demokratike.
Ai theksoi se përpjekjet për të zhbërë parlamentarizmin po intensifikohen përmes shkeljes së Rregullores së Kuvendit, mbylljes së fjalës së opozitës dhe mohimit të së drejtës për komisione hetimore. Në këtë kuadër, z. Gjekmarkaj nënvizoi se nëse opozita ka fjalën si mjet politik, mazhoranca ka kartonat dhe numrat për ta bllokuar atë.
Gjekmarkaj u ndal edhe te çështja e drejtësisë, duke vënë në dukje se qeveria, pasi ka ndërtuar një retorikë hipokrite për mbrojtjen e reformës në drejtësi, sot është në një sulm frontal ndaj drejtësisë, duke e mbajtur atë peng dhe duke ndërhyrë në proceset hetimore.
Ai theksoi se ekzistojnë dy standarde të qarta: ndonëse opozita ka qenë kritike ndaj drejtësisë në raste të caktuara, ajo ka respektuar dhe zbatuar çdo vendim të saj, duke qëndruar brenda kornizës kushtetuese. Si shembull u përmend rasti i z. Sali Berisha, ku arsyetimi i arrestimit u konsiderua i padrejtë, por Kuvendi u mblodh me urgjencë për heqjen e imunitetit dhe vendimi u respektua nga ai dhe nga opozita.
Në të kundërt, sot qeveria – sipas Gjekmarkaj – po bllokon hetimet, po shkel Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, duke refuzuar të mbledhë Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, siç është rasti i zëvendëskryeministres znj. Balluku.
Gjatë takimit u ngritën gjithashtu shqetësime serioze mbi sigurinë e të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë, veçanërisht në lidhje me çështjen e AKSHI-t, ku një person jashtë sistemit shtetëror, z. Ergys Agasi, ka pasur rol menaxhues dhe patronazhues mbi të gjithë sistemin.
Në përfundim, z. Gjekmarkaj i shprehu znj. Pasztory bindjen se vetëm një qeveri tranzitore mbetet zgjidhja e vetme për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, si dhe për të zhbllokuar drejtësinë e marrë peng — një akt i domosdoshëm për të ndalur komprometimin e rëndë të gjithë ngrehinës kushtetuese të vendit.
