Kryetari i PD, Sali Berisha ka ashpërsuar akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se ai ndodhet “në kohërat e fundit” politike.

Gjatë një bashkëbisedimi me ndjekësit në rrjetet sociale, Berisha tha se Rama nuk po e dorëzon imunitetin e Belinda Ballukut, pasi sipas tij, një veprim i tillë do të sillte edhe dorëzimin e “lëkurës së tij”.

Sali Berisha: Të dashur qytetarë dhe qytetare që ndiqni këtë bisedë timen të përjavshme me ju në rrjetet sociale, kam kënaqësinë t’u adresohem ju pas suksesit të rëndësishëm që arritëm më 24 janar në protestën 3-orëshe, në të cilën në realitet brenda dhe jashtë vendit u dridhen themelet e kalbësirës Rilindje apo organizatë kriminale të kryesuar nga Edi Rama. Siç konstatoni, ka një panik të madh nga narko-nomenklatura, nga organizata kriminale dhe tellallët e saj në mediat e blera.

Kanë një javë që nuk pushojnë me tërbim kundër qytetarëve protestues, protestës dhe përpiqen me shiringa të mbajnë, t’i japin zemër Edi Ramës, i cili ç’është e vërteta është në kohërat e fundit të regjimit të tij të urryer për shqiptarët. Siç e patë vetë, ai nuk dorëzon dot për asnjë rrethanë, asnjë mundësi imunitetin e Lubi Ballukut sepse e di se duhet të dorëzojë lëkurën e tij, karrigen e tij.
Dje u paraqit në Divjakë para fermerëve me Ballukun në krah, por i tronditur gjer në palcë, kërcënues dhe arrogant ndaj fermerëve që haptas i shprehnin pakënaqësitë e mëdha, denonconin politikat e tij kundër fermerëve shqiptarë. Pra, mund të themi se regjimi po ecën drejt agonisë dhe gjithçka varet nga ne, nga opozita shqiptare. Gjithçka varet nga kryengritja paqësore që nuk duhet të ndalet kurrë gjer në përmbysjen e Edi Ramës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb