Prej disa ditësh, Mali i Zi po përballet me një aferë serioze që ka përfshirë figura të larta shtetërore, ku në qendër të saj janë Mirjana Pajkoviq dhe Dejan Vukshiq, ish-drejtor i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare dhe ish-këshilltar i Presidentit Jakov Milatoviq. Skandali ka çuar në dorëheqjen e të dyve nga funksionet publike. Vukshiq dha dorëheqjen në fund të vitit të kaluar, pas tre kallëzimeve penale të depozituara kundër Pajkoviq, ndërsa të premten e kaluar, Pajkoviq u largua nga detyra si drejtoreshë e Drejtorisë për Promovimin dhe Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Ministrinë e të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave.
E ftuar në emisionin “Puls of Serbia Weekend”, Mirjana Pajkoviq hodhi poshtë zërat për një skandal seksual, duke e cilësuar çështjen si krim kibernetik dhe shkelje të të drejtave kushtetuese. “Ky nuk është një skandal seksual, por një problem sigurie me natyrë dixhitale. Është një akt që cenon të drejtat e garantuara nga Kushtetuta dhe duhet të shqetësojë çdo qytetar,” – deklaroi ajo. Pajkoviq theksoi se ka dhënë dorëheqjen si akt përgjegjësie personale, për të mos dëmtuar institucionin që përfaqësonte, duke shtuar se nuk ka pasur bazë ligjore për shkarkimin e saj.
“Kam jetuar me frikë për më shumë se një vit”
Ajo rrëfeu se për më shumë se një vit e tre muaj ka jetuar nën frikë, duke pretenduar se është kërcënuar nga një zyrtar i lartë shtetëror.
“Është e papranueshme që një qytetar të jetojë me frikë nga pushteti i zyrtarëve. Ata duhet të na mbrojnë, jo të na kërcënojnë,”-u shpreh Pajkoviq, duke shtuar se ka ngritur disa kallëzime penale dhe se rasti është bërë publik falë medias.
Akuza ndaj Presidentit Milatoviq
Pajkoviq deklaroi se Presidenti Jakov Milatoviq ishte në dijeni të situatës, por nuk reagoi në kohë.
“Prisja mbështetje prej tij. Kërcënimet vinin nga zemra e zyrës së Presidentit. Fjalët ishin: ‘Nuk do të ketë jetë për ty në Mal të Zi’. Heshtja e tij më kompromenton,” – tha ajo. Sipas saj, Presidenti kishte detyrimin moral dhe institucional të mbështeste çdo grua që denoncon dhunën dhe të inkurajonte autoritetet ligjzbatuese të vepronin. Në fund të intervistës, Pajkoviq pranoi se ka heshtur për një kohë të gjatë për dhunën që ka përjetuar, duke e quajtur këtë një gabim të rëndë.
“Ata që kërcënojnë sot, nesër mund ta bëjnë realitet. Nuk ndihem e sigurt dhe nuk e di çfarë mund të ndodhë,” – përfundoi ajo. Afera vazhdon të tronditë opinionin publik në Malin e Zi, ndërsa pritet reagimi i institucioneve të drejtësisë për zbardhjen e plotë të akuzave.
