Teksa sot po mbahet seanca gjyqësore për ‘Plumbin e artë’, i penduari i drejtësisë, Henrik Hoxhaj rrëfeu detaje nga vrasja e Dorian Shkozës, duke përshkruar lidhjen e tij me Nuredin Dumanin dhe përgatitjet për atentatin. Hoxhaj tha se e njihte Dumanin që nga viti 2020, kur u takuan për herë të parë në një ditëlindje të Festim Qolit. Pas disa muajsh ata nisën të komunikonin, duke përdorur edhe telefonë të kriptuar, dhe diskutuam për disa vrasje që Duman kishte marrë porosi për t’i kryer nga një person i njohur si Krymi.
Sipas Hoxhajt, Duman i propozoi vrasjen e Dorian Shkozës në Durrës me pagesë fillestare prej 70 mijë eurosh. Për ekzekutimin, u organizua një grup ku përfshiheshin Hoxhaj, Duman dhe një shofer, i identifikuar si Elio Bitri nga Elbasani. Në ditën e ngjarjes, Hoxhaj tha se u nisën nga shtëpia e Dumanit me një makinë të zezë. Ai kishte dy armë, ndërsa Elio një armë me mulli. Sipas tij, Hoxhaj qëlloi ndaj tre personave në trotuar; njëri mbeti i vrarë në vend dhe Dorian Shkoza u godit disa herë pasi identiteti i tij u konfirmua nga shoferi. Pas atentatit, Hoxhaj tha se u ndanë paratë e pagesës – ai mori 35 mijë euro nga 70 mijë eurot fillestare, ndërsa pjesa tjetër iu dha Elio Bitrit. Ai deklaroi gjithashtu se Nuredini e kishte përcjellë ngjarjen dhe e kishte aprovuar.
Hoxhaj shtoi se pas vrasjes jetoi normalisht në Tiranë dhe nuk u fsheh, ndërsa lekët sipas tij i merrte nga Duman, i cili në një farë mënyre i siguronte ato nga Krymi.
DESHMIA
Njihem me Nuredin Dumanin. Jam njohur me të tek ditëlindja e Festim Qolit në vitin 2020. Aty u njohëm, duke pirë dhe duke biseduar. Kemi shkëmbyer numrat e telefonit dhe disa muaj më vonë u takuam përsëri. Nuredini ishte i interesuar për të më takuar.
Nuk e mbaj mend saktësisht, por më duket se kemi komunikuar edhe me telefona të kriptuar. Kemi biseduar për disa vrasje. Ai kishte marrë porosi nga Krymi dhe më tha se kishte disa punë për t’u kryer dhe më pyeti nëse isha i interesuar. Unë i thashë po. Nuredini më tha për dy vrasje që do të kryheshin në Durrës. Fillimisht i prezantoi si porosi të Krymit, por më pas i paraqiti si problematika të tij personale. Më pyeti nëse isha dakord, dhe unë i thashë po. Në këtë takim diskutuam për vrasjen e Dorian Shkozës, e cila do të kryhej kundrejt pagesës. Fillimisht propozoi 70 mijë euro. Ai gjeti mjetet dhe armët, ndërsa shofer ishte Elio Bitri nga Elbasani. Në atë kohë, ishte pak pas fillimit të pandemisë. Nuk kishim leje, por vepronim sipas rregullave, me rrip dhe duke respektuar rregullat e qarkullimit.
Ditën e ngjarjes shkova në Durrës dhe u takova tek shtëpia e Nuredinit. Nga aty u nisëm me një makinë të zezë. Ishte Elio në timon, unë mbrapa shoferit. Unë kisha dy armë, Elio një. Nuredini ishte me ne. Ne bëmë një xhiro tek servisi dhe, kur kaluam pranë vendit të synuar, ai nuk ishte prezent. Kur u kthyen aty, ishte me dy persona të shoqëruar. Elio më thotë: “Ja ku janë.” Ishin tre vetë në trotuar. Unë qëllova me armë nga brenda makinës. Një armë mu bllokua, prandaj përdora tjetrën. Njëri nga ata mbeti në vend. Dorian Shkoza u rrëzua pak më tutje. I thashë: “A je ti Doriani?” Ai tha jo. Pyeta Elion: “A ky është?” Po, më tha ai. Atëherë e qëllova edhe një herë.
Një të shtoi edhe Elio. Ai kishte një pistoletë me mulli. Pas vrasjes hipa në makinë. Gjatë ikjes i thashë: “Më lër tek Plepat, ku kisha lënë një makinë.” Unë hipa tek makina ime me duar në xhepa, ndërsa makina tjetër iku dhe u dogj tek Bishti i Zhurit. Nuredini ishte pas nesh dhe e kishte parë ngjarjen. Më tha: “O kush doli shumë mirë.” Pagesën e mora për ngjarjen. Por 70 mijë eurot u ndanë mes meje dhe Elio-s, unë mora 35 mijë. Nuk e di sa i dha Elio. Pas kësaj vrasjeje kam jetuar në Tiranë dhe nuk fshihesha. Lekët, Nuredini më tha, i merrte nga Krymi.
