Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar nga qelia në lidhje me protestën e opozitës që mbahet sot në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë. Meta shprehet se Shqipëria ka shënuar rënie me 11 vende në renditjen globale të korrupsionit brenda një viti, duke theksuar se, sipas tij, “burgomania e Kreut të Organizatës” nuk mund të ulë korrupsionin, pasi ai është “garanti dhe mbrojtësi i këtij sistemi të kapur”.

Sipas Metës, statistikat e arrestimeve përdoren vetëm për të fshehur, siç e cilëson ai, “korrupsionin skizofrenik të Organizatës Kriminale” dhe nuk përbëjnë tregues real të suksesit në luftën kundër korrupsionit. Ai thekson se korrupsioni jo vetëm që vijon, por thellohet vit pas viti, duke sjellë pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët: mungesë fondesh për rritje reale të pensioneve, për mbulimin e ilaçeve në Onkologjik, për fermerët dhe arsimin, si dhe refuzimin për të ulur TVSH-në e ushqimeve të shportës. Meta përmend edhe, sipas tij, vjedhjen e fondeve të BE-së për bujqësinë.

Në deklaratën e tij, Meta akuzon kryeministrin se ka kapur në mënyrë antikushtetuese çdo qelizë të drejtësisë së re dhe se synon, sipas tij, rikapjen e saj përmes ndërhyrjeve të njëanshme në legjislacion me 83 vota që i cilëson jolegjitime. Në fund, Meta bën thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e sotme, duke u shprehur. “Sot, të gjithë në bulevardin para Kryeministrisë, në ora 17:00, për t’i treguar vendin Organizatës Kriminale dhe Kreut të saj.”.

REAGIMI I METES
Shqipëria “lulëzon” në fushën e korrupsionit falë Ramaformës.
Rënia me 11 vende në renditjen globale në 1 vit, tregon se burgomania e Kreut të Organizatës nuk mund të ulte korrupsionin sepse ai është vet garanti dhe mbrojtësi i gjithë këtij sistemi te kapur.
Statistikat e burgomanisë së tij janë vetëm për të fshehur korrupsionin skizofrenik të Organizatës Kriminale që ai drejton dhe jo tregues i “suksesit” në luftën kundër korrupsionit.
Korrupsioni jo vetëm vijon, por edhe thellohet vit pas viti, prandaj nuk ka lekë për rritje reale të pensioneve, nuk ka lekë për mbulimin e ilaçeve te Onkologjiku, nuk ka fonde për fermerët (përkundrazi, u vidhen edhe ndihmat e BE-së), nuk ka fonde për arsimin dhe madje nuk ulin as TVSH-në e ushqimeve të shportës, për të gjithë qytetarët në prag urie, siç propozoi me projektligj Partia e Lirisë.
Për të garantuar përjetësisht paprekshmërinë e tij, Kreu i Organizatës pasi kapi në mënyrë antikushtetuese çdo qelizë të drejtësisë së re, tani premton rikapjen e saj përmes ndërhyrjeve të njëanshme në legjislacion me 83 “diellat” e tij jolegjitime.
Prandaj sot, të gjithë në bulevardin para Kryeministrisë, në ora 17:00, për t’i treguar vendin Organizatës Kriminale dhe Kreut të saj.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: