Juristi Indrit Sefa, ka komentuar çështjen që lidhet me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, duke u shprehur se procesi gjyqësor pritet të jetë i gjatë, por thelbësore është që të garantohet një gjykim i drejtë për të gjitha palët.

Sipas Sefës, gjykimi në Shkallën e Parë mund të përfundojë në vitet 2027–2028, ndërsa seancat gjyqësore mund të zhvillohen edhe një herë në javë, në varësi të rrethanave dhe ecurisë së procesit.

Ai theksoi se ndaj Veliajt janë ngritur akuza për korrupsion pasiv në nëntë raste, si edhe akuza të tjera shtesë. Sipas tij, në fazat e para të hetimit, Veliaj ka pasur një qasje të gabuar, pasi ka krijuar dyshime se në rast të një mase tjetër sigurie mund të prishte prova apo të ushtronte presion ndaj dëshmitarëve.

Sefa shtoi se këto janë elementë që merren parasysh në vlerësimin e masave të sigurisë, por theksoi se paraburgimi nuk mund të zgjasë pafundësisht dhe çdo procedurë ka afatet e saj ligjore. Në këtë kuadër, ai tha se pas nisjes së procesit gjyqësor ekziston mundësia që ndaj Veliajt të vendoset një masë sigurie më e lehtë. “Çështja Veliaj do të zgjasë, por me rëndësi është që të ketë një gjykim të drejtë për të gjitha palët. Gjykimi në Shkallën e parë mund të mbarojnë në 2027-2028. Seancat mund të bëhen dhe 1 herë në javë, por si dihet. Në rastin e zotit Veliaj, akuzat që i janë ngritur janë; korrupsion pasiv, në 9 raste, ka dhe akuza të tjera. Zoti Veliaj pati qasje të gabuar në fillesat e para. Ai tregoi se nëse ka një masë tjetër sigurie, mund të prishte provat dhe mund të kërcënonte dëshmitarët. personi që po hetohet, do t’i bëjë këto gjëra dhe në rëndë. Por çdo gjë ka afatet e veta se nuk mund të rrish tërë kohësh në paraburgim. Pasi të ketë nisur procesi gjyqësor, mund të merret dhe një masë më e lehtë për zotin Veliaj. Me shumë gjasa po.”, tha ai.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: