Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën ka mbajtur në Kuvend një seancë dëgjimore për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për librin në Republikën e Shqipërisë”.
Ai parashikon mes të tjerash, rregullimin librit elektronik, nxitjen e leximit duke e cilësuar atë interes publik, mos tjetërsimin e fondeve për librin në bashki, harmonizim me praktikat evropiane, mbështetjen e botuesit e të tjerë.
Vetë botuesit e pranishëm patën megjithatë kritika herë për paqartësi e herë për mungesë vizioni. Mungesa e një regjistri të botuesve dhe detyrimi prej kopjesh për bibliotekën kombëtare, qenë mes vërejtjeve si edhe kopjet elektronike.
“Dorëzimi i librit elektronik, ti varësh ujkut mëlçitë në qafë. Nuk e dorëzojmë. Botuesi vë në lëvizje tërë sistemin, ligji nuk njeh botuesin si subjekt”, tha kreu i shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri.
Një tjetër botues e nisi shqetësimin e tij me qasjen ndaj librit e bibliotekës Kombëtare, ndërsa një i tretë kritikoi kurrikulat shkollore.
“Emri i Institutit Italian të Kulturës më i madh se ai i Bibliotekës Kombëtare. As Italia fashiste s’ka guxuar të vërë zyrat mbi Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë. Dhe ajo hapësirë t’i jepet librit shqiptar, s’ka ndodh kurrë botë që Biblioteka Kombëtare të bëjë apel për bananesh për të fut librat e vet. Tvsh-ja e librit nuk sjell para për shtetin, por ka shkatërruar librin shqip se e keni shkatërruar. Bëni ligje sa të doni e keni shkatërruar”, tha Bujar Hudhri, botues.
“Kurrikula shkollore është e mangët. Lista e letërsisë së rekomanduar është ku thërret qameti, me libra që mund t’u shkojnë fëmijëve”, tha Arlinda Dudaj
Për deputeten e PD-së, Ina Zhupa, kryetare e komisionit parlamentar, problemet janë disa dhe synimi i dëgjesës është adresimi i tyre.
“TVSH-në e librit ma kanë përmendur shumë grupe interesi dhe shteti në vend që të japë, merr. Nga ana tjetër, si prind, shoh që çmimi i librit është i lartë kur flasim për 15, 20-25 mije lekë të vjetra për librin, kur dimë që 45% e popullsisë, është e varfër”, tha mes të tjerash Zhupa.
Një Qendër e Librit e Leximit autonome, me më shumë buxhete dhe me zyra të denja, mekanizma detyruese dhe ndëshkuese, një drejtori i dedikuar në ministri për librin, leximin e bibliotekat, më shumë buxhete e subvencione u sollën si sugjerime, deri edhe te detyrimi për pjesëmarrje në panaire. Përfaqësuesja e Ministrisë, tha se një sërë problemesh janë adresuar ndërsa buxheti i QKLL-së në 2026 është dyfishuar.
