Kreu i Partisë Mundësi, Agron Shehaj, u është bashkuar sot protestës së banorëve të Rrjollit që janë kundër ndërtimit të resortit turistik dhe banorët e Durrësit që preken nga projekti TID që po protestojnë sot para Kuvendit.
Shehaj u shpreh se grabitja e tokave të qytetarëve nuk kryhet vetëm nga oligarkët, sepse kjo mund të ndodhë pa ortakërinë me qeveritarët.
Ai u ka bërë thirrje pronarëve që të mos heqin dorë nga e drejta e tyre duke u siguruar se kanë mbështetjen e tij.
“Kjo është një çështje në fakt politike sepse pronat nuk i vjedh vetëm oligarku, e vjedh oligarku me klasën e korruptuar politike që kemi në Parlament.
Askush nuk ua vjedh dot pronat pa lejen e tyre, janë ortakë.
Në lidhje me pronat njerëzit janë lodhur dhe mund të heqin dorë, por mos u dorëzoni. Ne do të na keni në krahë kurdo që të kërkoni të drejtën tuaj”, tha ai.
Fjala e plotë:
Kjo në fakt është një çështje politike, është një çështje politike se pronat nuk po i vjedhin vetëm oligarkët, prona po i vjedhin oligarkët me klasën politike të korruptuar që kemi në Parlament, ky është problemi sepse nuk do kishte asnjë mundësi që dikush të vidhte pronat tuaja pa ndihmën e tyre, janë ortakë dhe heshtja e tyre tregon pikërisht këtë gjë, tregon që janë bashkë, po i vjedhin pronat bashkë.
Padrejtësia me pronat është padrejtësia më e madhe që i është bërë popullit shqiptar në këto 35 vite.
Kishin shpresë shqiptarët që me ardhjen e demokracisë do t’i merrnin pronat e tyre, të drejtën e pronës, pronat që u ishin mohuar në 45 vite. Fatkeqësisht kjo nuk ndodhi.
Pronat i vodhën, i rrëmbyen me njëri-tjetrin dhe pronarët e vërtetë nuk i morën kurrë prona e tyre.
Çfarë bënë? U detyruan të iknin jashtë. Kush po ndërton sot Jugun? Kush po i ndërton resortet? Ku janë pronarët e atyre tokave? Janë të gjithë jashtë shtetit, punojnë të gjithë jashtë shtetit, bëjnë punë të rëndomta në Perëndim ndërkohë oligarkët e lidhur me klasën politike po gëzojnë pronat e qytetarëve shqiptarë.
Është e pafalshme, ndërkohë që vidhen pronat në Rrjoll, pronat në Durrës i kanë nxjerrë njerëzit nga shtëpia po i nxjerrin njerëzit nga shtëpia dhe po u japin dy lekë. Po fshihen pas projektit. Apo në Dukat e njëjta gjë. Kudo po vjedhin pronat.
E kuptoj që në lidhje me pronat njerëzit janë lodhur, dhe mund të mendojnë të heqin dorë, por ju ftoj të ngulni këmbë mos u dorëzoni ne na keni në krah, kudo që të protestoni ne do jemi aty. Do na keni në krah në Parlament do na keni në krah kur të protestoni për të drejtën tuaj, për pronën tuaj.
