Bashkimi Evropian po konsideron të hapë të paktën dy qendra stërvitore për ushtarët ukrainas në Ukrainë, në rast se ndalen luftimet, njoftoi sot shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas.
“Ne kemi diskutuar për trajnimin e ushtarëve ukrainas edhe brenda Ukrainës”, tha ajo gjatë një takimi në Bruksel me ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të BE-së.
“Ne kemi identifikuar dy qendra stërvitore që mund të përdoren për këtë qëllim”, shtoi ajo, pa dhënë më shumë detaje.
BE-ja kishte lënë të kuptohej më parë se mund të trajnojë ushtarë ukrainas brenda Ukrainës si pjesë e garancive të sigurisë që Kievi kërkon në rast të një marrëveshjeje paqeje.
Që nga 24 shkurti 2022, kur Rusia sulmoi masivisht Ukrainën, Bashkimi Evropian ka trajnuar rreth 90 000 ushtarë ukrainas jashtë vendit si pjesë e mbështetjes së tij ushtarake.
Disa shtete evropiane, përfshirë Britaninë e Madhe dhe Francën, janë shprehur të gatshëm të dërgojnë trupa në Ukrainë sapo të arrihet një marrëveshje paqeje midis Moskës dhe Kievit.
