Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka reaguar ndaj sulmit ajror të Izraelit në Bejrut, duke deklaruar se veprimi nuk duhej të kishte ndodhur, sidomos në një moment kur, sipas tij, ekziston mundësia për një marrëveshje paqeje në rajon.

Në një postim në platformën Truth Social, Trump tha se Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten, por argumentoi se sulmi ndaj të cilit po i përgjigjej ishte “shumë i vogël dhe i pakuptimtë”.

“Sidomos në një ditë të veçantë kur jemi kaq afër një marrëveshjeje paqeje me Iranin, ky sulm nuk duhej të kishte ndodhur”, shkroi ai.

Trump shtoi se Shtetet e Bashkuara dhe Irani janë “shumë afër një marrëveshjeje që do të sjellë paqe në rajon, përfshirë Libanin”, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.

Ai theksoi se nuk duhet të ketë më sulme as nga Izraeli dhe as nga “çdo palë tjetër”, duke e cilësuar momentin aktual si një mundësi për të hapur rrugën drejt stabilitetit.

“Ky mund të jetë fillimi i një paqeje të gjatë dhe të bukur. Le të mos e prishim atë”, përfundoi Trump në mesazhin e tij.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb