Emisioni Vetting
Me anë të VKM-së nr. 185, datë 27.03.2024, Këshilli i Ministrave vendosi kalimin e pasurisë shtetërore të njohur si ish-antenat e RTSH-së në zonën kadastrale 3852 për administrim te Ministria e Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës për të zhvilluar projektin “Durana Tech Park”. Në vendimin fillestar u përfshi pasuria nr. 336 me sipërfaqe 140 mijë metra katrorë.
Rreth 1 vit më pas, me Vendimin nr. 13, datë 09.01.2025, lista e pasurive u zgjerua dhe u shtuan edhe disa territore të tjera në të njëjtën zonë kadastrale, duke e çuar sipërfaqen totale në 416 mijë metra katrorë, rreth 41.6 hektarë. Duke analizuar dokumentet e vitit 2024 zona përmendet si Xhafzotaj, Bashkia Durrës, ndërsa në vendimin e vitit 2025 përmendet si Xhafzotaj, Bashkia Shijak, duke krijuar mospërputhje në përcaktimin administrativ të territorit. VKM-të bëjnë kalimin e pronës për qëllim zhvillimi të parkut, por nuk përbëjnë vetë leje ndërtimi dhe as ndryshim të destinacionit të tokës në planifikimin territorial.
Sipas urbanistit Artan Kaçani, zona nuk është përcaktuar si truall për ndërtim.
“Fakti që një zonë bujqësore si zona e Sukthit, në një zonë eksperimentale të fuqisë, me vlera shumë të larta bujqësore, nuk iu është dhënë fermerëve dhe qytetarëve të Sukthit, iu është mbajtur në një interes shtetëror dhe tashmë, i ka kaluar një grupi njerëzish me interesa të ngushta private deri diku me shtetin, duke i përvetësuar këto territore dhe duke i ndryshuar edhe funksionin, është e njëjta skemë që ka ndodhur përafërsisht për 35 vite për Sukthin”, tha për “Vetting” urbanisti Artan Kacani.
Kacani shton më tej se ky është një model i vjedhjes së pasurive publike kombëtare dhe i zhdukjes së perspektivës së fshatrave, si edhe të ekonomisë bujqësore.
Nga verifikimet e “Vetting” rezulton se qeveria shqiptare ka kaluar tokë bujqësore për një projekt, pa marrë fillimisht vendime për ndryshimin e statusit të tokës.
Trualli i reklamuar si një vendndodhje e zgjedhur, midis dy qyteteve të mirënjohura të Tiranës dhe Durrësit, në të vërtetë nuk ishte një truall, por një zonë bujqësore. Kjo tregohet edhe në Hartën e Përdorimit të Tokës në Planin e Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Durrës. Vetting kontaktoi Koorporatën Shqiptare të Investimeve se si ishin lidhur kontratat kur toka ishte për përdorim bujqësor ndërkohë që VKM-ja ka kaluar pa ndryshuar përdorimin e tokës.
“Vetting” kontaktoi Agjencinë Shtetërore të Kadastrës për statusin e tokës, si edhe Koorporatën Shqiptare të Investimeve, por deri në publikimin e këtij materiali nuk kemi marrë asnjë përgjigje.
Duke marrë shkas nga të dhënat zyrtare, redaksia e “Vetting” u gjend pranë vendndodhjes në Xhafzotaj, por nuk gjeti asnjë shenjë të ndarjes së truallit ku supozohet të ndërtohet parku teknologjik. Edhe vetë banorët shprehen se nuk kanë parë ndonjë përfaqësues të institucioneve, të cilët mund t’i kenë vënë në dijeni që do të vendosen kufinjtë hyrës e dalës të parkut.
Ligji aktual e ndalon ndërtimin e industrive të ndryshme apo infrastrukturave të tjera, të cilat nuk kanë lidhje me sektorin e bujqësisë në zona bujqësore. Përjashtim bën vetëm, sipas ligjit 131/2014, në rastet e ndërtimeve të përkohshme, të cilat nuk janë të lidhura në mënyrë të qëndrueshme dhe të përhershme me tokën, që janë të nevojshme për ushtrimin e aktivitetit bujqësor dhe blegtoral. Pra, me pak fjalë në rast se kërkon të ndërtosh një serë apo stallë, apo magazinë për vegla bujqësore.
Për më tepër, në dokumentat e tjera të shfaqura në VKM-në e vitit 2025 nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, tregohet se kjo është zonë bujqësore.
Nga ana tjetër, në vendim deklarohet se hapësirat teknologjike do të ndërthuren me ato bujqësore, në mënyrë që të dyja format e ekonomisë të vazhdonin të sillnin fitimprurje për vendin.
Për banuesit e zonës, në momentin që mund të ndërhyjnë në ndërtimin e parkut, do të zhvendosen duke i paguar në shpërblime deri në momentin që do të ndërtoheshin banesat sociale.
Bashkia Shijak pritet të ketë 55 milionë lekë përfitime nga tarifa e pastrimit, pasi investitorë dhe zhvillues në Durana janë të përjashtuar nga taksa e pasurisë si pronë shtetërore.
Pas disa kërkimeve në terren dhe kontaktit me banorët se ku mund të gjendej parku, më në fundi trualli me numër 336 u gjend në një zonë më thellë se Katundi i Ri, Durrës. Ndarjet e supozuara për hyrje-daljet e parkut ishin në mes të disa fushave, të rrethuara nga disa shtëpi.
Vendndodhja aktuale e parkut nuk është në Xhafzotaj, por në anën e kundërt të tij, ngjitur më Fllakën. Kjo e fundit i përket bashkisë së Durrësit.
Në kërkesën për informacion drejtuar Bashkisë Shijak, përsa i përket informacionit nëse janë njoftuar për ndërtimin e parkut, ata u përgjigjën se deri më tani nuk kanë marrë asnjë kërkesë për leje ndërtimi.
32 milionë lekë pa patur godinë, OSSH faturon rrjet fantazëm
Dy vite pas miratimit të ligjit për parqet teknologjike, përgjegjësisë iu bashkua edhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Koorporata e Investimeve Shqiptare, si dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe OSHEE-ja do të ndihmonin në infrastrukturën e përgjithshme mbështetëse deri në kufinjtë e parkut, si rrugë, fibra optike, energji elektrike.
Në fillim të shtatorit 2025, Operatori i Sistemi të Shpërndarjes Tiranë do të shpallte garën për tenderin “Furnizimi me energji elektrike i Parkut Teknologjik DURANA”. Në fillim të tetorit të vitit të kaluar, Drejtoria e OSSH Tiranë që drejtohet nga D.H do të shpallte fituesin “EURONDERTIMI 2000” në pronësi të Qani Saraçit me ofertë 32.9 milionë lekë ose 330 mijë euro. Gara do të shënohej me flamur të kuq nga “Openprocurement.al”, platformë e AIS-it pasi nuk do të kishte pjesëmarrës të tjerë, përveç fituesit.
Flamuri i kuq vendoset kur ka dyshime për korrupsion dhe favorizim fituesi nga institucioni që organizon tenderin.
Çdo gjë duket në rregull në plan të parë, por jo çdo gjë është ashtu siç duket. Deri më sot, në projektin Durana Tech Park nuk është vendosur një tullë ndërkohë që në shkelje të disa ligjeve organizohet tenderi për furnizimin me energji elektrike.
Në rastin kur projektohet një tender për sistemin e shpërndarjes dhe lidhet kontrata pa patur synim të qartë dhe pa filluar puna, kemi shkelje të Ligjit për Prokurimin Publik sepse mungon nevoja reale dhe qellimi i kontratës. Kemi shkelje të transparencës dhe eficiencës së përdorimit të fondeve publike. Kjo procedurë mund të konsiderohet fiktive sepse kompania e vetme në këtë rast ka konkurruar për diçka që nuk ekziston, ku cenohet barazia në tendera dhe krijohet favorizim i paligjshëm.
