Përmes nenit 36 të projektligjit, të votuar nga 85 deputetë në Kuvend, në fundnatën e 27 dhe në fillimnatën e 28 janarit të vitit 2026 u vendos të ndryshojë paragrafi i dytë i nenit 234/a të Kodit Penal.
Relacioni, akti përmbledhës i konsultimit publik dhe shtatë materialet legjislative shoqëruese të analizës së përputhjes së projektligjit me të drejtën e Bashkimit Europian, njëzëri, sikurse fjalimet e shtetarëve në Kuvend, parashtrojnë, në përgjithësi dhe jo konkretisht, se edhe ky ndryshim ligjor në Kodin Penal vjen për të përqasur të drejtën vendase me të drejtën e aspiruar europiane.
Por a e kuptuan ato që e konceptuan, ato që e hartuan, ato që e propozuan dhe ato që e votuan këtë normë se çfarë kanë bërë në të vërtetë me këtë ndryshim ligjor?! Pikërisht për të dhënë përgjigje mbi këtë pyetje naive po shkruaj në shkrimin e njëzet të rubrikës “Dilema mbi Kodin e ri Penal”. Qëllimi përfundimtar, krahas ndërgjegjësimit të institucioneve dhe shtetarëve që shkuan, është shpjegimi për institucionin dhe shtetarin që vjen.
Për të gjitha kategoritë e zyrtarëve të renditur në pyetjen retorike të ngritur më lart dhe të atyre që do vijnë më duhet të bëj pak histori dhe krahasim ndërdispozitash simotra. Fillimisht më duhet t’u sjell në vëmendje se neni 234/a (organizata terroriste), sikurse neni 234/b (banda e armatosur), sikurse neni 333 (organizata kriminale) dhe sikurse neni 333/a i (grupi i strukturuar kriminal) i Kodit Penal e kanë marrë pamjen që kanë sot nga Ligji nr. 9275 i vitit 2004. Të katër këto dispozita, atëbotë dhe deri më sot, janë konceptuar me një logjikë juridike të tillë, që në paragrafin e parë të vendosen figurat e veprave penale të këtyre krimeve asociative në format më të larta të tyre, konkretisht të kryera nga subjektet me rrezikshmëri shoqërore më të lartë dhe të cilët dënohen për rrjedhojë më shumë, konkretisht subjektet krijues, organizatorë, drejtues apo financues të këtyre formacioneve kriminale të organizuara.
Më tej, në paragrafët e dytë të tyre janë parashikuar format më të lehta dhe të zakonshme të realizimit të këtyre krimeve asociative, konkretisht pjesëmarrjet e subjekteve në këto formacione të organizuara kriminale. Sigurisht që edhe subjektet e paragrafit të parë dhe të dytë janë pjesëmarrës në to por se të ndërfuturit në paragrafët e dytë janë individët apo personat juridikë të zakonshëm që u atashohen atyre, që do të thotë se kanë pozita inferiore në raport me shkallësinë dhe përgjegjësinë hierarkike të shefave të krimit. Për ta bërë sakaq më të shpjegueshme për publikun e gjerë, duke i lejuar vetes huazimin me analogji të termave dhe gradave ushtarake, do të duhet të dalloheshin njëlloj sikurse shquhen gjeneralët në raport me ushtarët.
Kjo dasi dhe teknikë legjislative e përdorur në këto katër dispozita, pavarësisht se është jokoherente me mënyrën se si sistematikisht Kodi Penal rregullon format më të lehta të figurës së veprës penale, të cilat vendosen në paragrafin e parë dhe format më të rënda të saj, që vendosen në paragrafët vijues të normës, sipas rëndësisë së sanksionit dhe rrezikshmërisë shoqërore, arrin të sigurojë zbatimin e parimit të proporcionalitetit dhe barazisë abstrakte të individualizimit të përgjegjësisë penale të personave individë dhe atyre juridikë.
Kështu gjeneralët e organizatës terroriste (neni 234/a) dënohen me burgim jo më pak se 15 vjet dhe në maksimum deri në 35 vjet burgim (shih nenin 32 të Kodit Penal), ndërkohë që ushtarët e këtij formacioni dënohen nga 5 deri në 10 vjet. Kështu gjeneralët e bandës së armatosur (neni 234/b) dënohen nga 10 deri në 15 vjet burgim, ndërkohë që ushtarët e këtij formacioni dënohen nga 5 deri në 10 vjet burgim. Kështu gjeneralët e organizatës kriminale (neni 333) dënohen nga 5 deri në 15 vjet burgim, ndërkohë që ushtarët e këtij formacioni dënohen nga 4 deri në 8 vjet burgim.
Kështu gjeneralët e grupit të strukturuar kriminal dënohen nga 3 deri në 8 vjet burgim, ndërkohë që ushtarët e këtij formacioni dënohen nga 2 deri në 5 vjet burgim. Ndërkohë që nga viti 1998, megjithëse një dispozitë e fjetur dhe letargjike për praktikën prokuroriale dhe gjyqësore, neni 284/a i Kodit Penal, dispozita që ravijëzon organizatën e posaçme kriminale të narkotikëve, parashikon se gjeneralët e saj dënohen nga 10 deri në 20 vjet burgim por kjo dispozitë nuk ka sanksion për ushtarët, duke u komplementuar sakaq ky ometim legjislativ me paragrafin e dytë të nenit 333 të Kodit Penal.
Ndërkohë, para se të sjell në vëmendje përmbajtjen e nenit 36 të projektligjit të votuar nga 85 deputetë në fundnatën e 27 dhe fillimnatën e 28 janarit 2026, më duhet të parashtroj logjikën ligjore të grupit të punës së mandatuar nga Ministria e Drejtësisë për të hartuar projektin e Kodit të ri Penal.
Dispozitat e sjella në vëmendje më lart, përveç nenit 284/a të Kodit Penal, i cili në këtë projekt rezulton të jetë suprimuar, në simotrat e tyre të projektit të Kodit të ri Penal janë vendosur respektivisht në nenin 494 (organizata terroriste); në nenin 492 (banda e armatosur); në nenin 491 (organizata kriminale) dhe në nenin 493 (grupi i strukturuar kriminal).
Pavarësisht se edhe grupi i punës nuk e ruan logjikën koherente të renditjes së këtyre dispozitave sipas shkallës së rrezikshmërisë dhe renditjes së sanksioneve, rezulton se pak a shumë logjika juridike penale e tij është e njëjtë me atë që rezulton tashmë prej 22 vitesh në Kodin Penal në Shqipëri. Kjo premton se edhe për shumë dekada në vijim, nëse ky projekt do të shndërrohet realitet ligjor, e njëjta logjikë juridike do të regjojë përgjegjësinë penale të gjeneralëve dhe të ushtarëve të krimit të organizuar.
Kështu, gjeneralët e organizatës kriminale në nenin 491 dënohen nga 3 deri në 8 vjet burgim, ndërkohë që ushtarët e këtij formacioni dënohen nga 2 deri në 6 vjet burgim. Kështu, gjeneralët e bandës së armatosur në nenin 492 dënohen 2 deri në 8 vjet burgim, ndërkohë që ushtarët e këtij formacioni dënohen 2 deri në 5 vjet. Kështu, gjeneralët e grupit të strukturuar kriminal në nenin 493 dënohen 2 deri në 5 vjet, ndërkohë që ushtarët e këtij formacioni dënohen 2 deri në 4 vjet burgim.
Kështu, gjeneralët e organizatës terroriste në nenin 494 dënohen nga 4 deri në 10 vjet burgim, ndërkohë që ushtarët e këtij formacioni dënohen nga 2 deri në 6 vjet burgim. Sikurse më lart u parashtrua, pavarësisht dallimeve në masa dënimesh, logjika juridike tashmë 22-vjeçare e ligjvënësit shqiptar në Kodin Penal, konkretisht e grupit të punës së vitit 2004 që ka hartuar nenin 234/a, nenin 234/b, nenin 333 dhe nenin 333/a të këtij Kodi, ka qenë e tillë që të dallohej rrezikshmëria dhe rëndësia e përgjegjësisë penale, që rridhte nga pjesëmarrja si gjeneral dhe pjesëmarrja si ushtar në formacionet kriminale të organizuara.
Kjo logjikë juridike është ruajtur dhe nuk është vënë në diskutim edhe nga grupi i punës së mandatuar nga Ministria e Drejtësisë për hartimin e projektit të Kodit të ri Penal. Kështu ka qenë në Kodin Penal të vitit 1927. Kështu ka qenë në Kodin Penal të vitit 1952. Kështu ka qenë në Kodin Penal të vitit 1977. Por një tjetër grup pune, një grup pune i paidentifikuar nominalisht por që me sa kuptohet është formësuar me përbërje nëpunësish të Ministrisë së Drejtësisë, institucion i cili është propozuesi në Këshillin e Ministrave i këtij projektligjit, ka krejt tjetër vizion dhe botëkuptim juridik dhe social mbi këtë çështje të politikës penale dhe mbi zbatimin e parimit të proporcionalitetit dhe barazisë së shtetasve para ligjit penal, parime këto të sanksionuara respektivisht në nenin 17 dhe 18 të Kushtetutës.
Ky grup pune i tjetërfartë, me miratimin e ministrit të Drejtësisë, më tej me miratimin e Këshillit të Ministrave, më tej me miratimin nga Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, e më tej me miratimin e 85 deputetëve në seancë plenare në Kuvend, përmes dakordësisë stafetë dhe të pavënë në diskutim në asnjë prej hallkave institucionale nëpër të cilat ka kaluar projektligji deri në votim, ka konkluduar që paragrafi i dytë i nenit 234/a të Kodit Penal të ndryshohet si vijon:
“Pjesëmarrja në një organizatë terroriste ose në aktivitetet kriminale të një organizate terroriste, duke përfshirë sigurimin e informacionit ose burimeve materiale, falsifikimin apo përdorimin e dokumenteve të falsifikuara ose duke financuar aktivitetet e saj në çfarëdo mënyre, duke ditur se një pjesëmarrje e tillë do të kontribuojë në veprimtarinë kriminale të organizatës terroriste, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet.”
Kjo do të thotë se tashmë pritet që, nga momenti i hyrjes në fuqi të nenit 36 të këtij ligji, ushtarët e organizatës terroriste do të gradohen në përgjegjësi penale njëlloj sikurse gjeneralët. Në këtë mënyrë Ministria e Drejtësisë, Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi kanë dakordësuar, pa shpjeguar konkretisht se pse, që, jo vetëm gjeneralët e organizatës terroriste të dënohet nga 15 deri në 35 vjet burgim, por edhe ushtarët e këtij formacioni të dënohen nga 15 deri në 35 vjet burgim. Sigurisht që një normë e tillë, e privuar nga zbatimi i parimit të proporcionalitetit, të barazisë para ligjit, tërësisht episodike dhe rastësore në mënyrën se si është formuluar, është e papajtueshme dhe e papranueshme, jo vetëm me standardet e së drejtës së Bashkimit Europian, por edhe me logjikën mesatare njerëzore jojuriste.
Për më tepër është e parrokshme që një filozofi e tillë juridike dhe një normë e tillë ligjore vendoset të bëhet ligj vetëm fare përkohësisht dhe pa asnjë të përbashkët me sipërmarrjen më të rëndësishme të pas vitit 1995, konkretisht hartimin e projektit të Kodit të ri Penal. Pas përfundimit të konsultimit publik për këtë projekt në mbledhjet fasadë shtator–dhjetor 2025, tashmë pritet që të nisë faza përfundimtare e propozimit nga Këshilli i Ministrave për ta shndërruar në ligj dhe në Kodin Penal të Shqipërisë në Bashkimin Europian. E ndërkohë Ministria e Drejtësisë, Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi nuk hezitojnë dhe nuk vetëpërmbahen që të miratojnë një ndryshim të tillë në Kodin Penal, i cili, jo vetëm do të jetë krejt i përkohshëm dhe i paaftë për të arritur qëllime konkrete të politikës penale, por do të jetë edhe unik në historinë normative nga Kodi Penal i vitit 1927 deri në momentin kur do shndërrohet në ligj projekti i Kodit të ri Penal. Praktikisht të tre këto institucione kanë vendosur të bëjnë një ligj penal, i cili nuk parashikohet të ketë zbatim dhe kohë të mjaftueshme veprimi për shkak të regëtimës që ndjell së afërmi projekti i Kodit të ri Penal.
Nga ana tjetër, neni 36 i ligjit të janarit 2026 mbivendos një pjesë të rregullimit të paragrafit të parë me paragrafin e dytë të nenit 234/a të Kodit Penal, duke krijuar sakaq paqartësi dhe konfuzion mbi gradën e gjeneralit dhe atë të ushtarit. Kështu, financieri i organizatës terroriste është një ndër gjeneralët kriminalë në paragrafin e parë të nenit 234/a të Kodit Penal, rregullim në fuqi nga viti 2004. Ndërkohë në vitin 2026 ai shndërrohet edhe në ushtarin kriminal të organizatës terroriste, duke iu atashuar sakaq paragrafit të dytë të ndryshuar të kësaj dispozite. Ky konfuzion i pashoq për standardet e ligjit penal në shtetin e së drejtës nuk ka asnjë pikëtakim me Bashkimin Europian, pikërisht me reklamën që vesh ndër të tjera edhe nenin 36 të këtij ligji në fjalimet publike të shtetarëve dhe në materialet legjislative shoqëruese të projektligjit. Asgjë të përbashkët nuk ka ky konfuzion penal gradash kriminale edhe me nenin 491 – 494 të projektit të Kodit të ri Penal.
Tashmë çudia e dyfishtë e radhës e së drejtës penale në Shqipëri, konkretisht neni 36 i ligjit ndryshues të Kodit Penal në vitin 2026, është dy institucione larg. Fillimisht pritet dekretimi i ligjit nga Presidenti i Republikës, i cili, sipas Kushtetutës, edhe mund të vendosë kthimin e ligjit për shqyrtim në Kuvend, duke përcaktuar në arsyetimin respektiv presidencial edhe arsyet kushtetuese apo të së drejtës ndërkombëtare se pse ai duhet të rishqyrtohet. Më tej hapi i fundit kushtetues mbetet epilogu i botimit në Fletore Zyrtare dhe numërimi mbrapsht i 15 ditëve nga botimi për të individualizuar ditën se kur ligji hyn në fuqi. Në tre shkrimet e njëpasnjëshme të rubrikës “Dilema mbi Kodin e ri Penal” kam identifikuar 4 dispozita të papajtueshme me Kushtetutën dhe me të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme dhe të aspirueshme për Shqipërinë. Me keqardhje konstatoj se ka edhe më, të cilat do t’i trajtoj në shkrimet në vijim.
E ndërkohë që askush nuk ka asnjë arsye kushtetuese apo ligjore që të presë nga tellalli, konkretisht nga Qendra e Botimeve Zyrtare, që të bëjë diçka për të parandaluar shndërrimin në ligj të kësaj norme, që përpiqet të barazojë ligjërisht diçka që nuk mund të barazohet sipas Kushtetutës dhe mbivendos e konfuzon gradat kriminale ndërmjet paragrafëve, gjithkush, me arsye mesatare qytetare dhe fillestare juridike, pret që Presidenti i Republikës ta kthejë ligjin për rishqyrtim në Kuvend. Presidentit të Republikës i mbetet të dekretojë veton presidenciale refuzuese, përmes së cilës Ministrit të Drejtësisë, Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit t’i arsyetojë se ushtarët nuk mund të gradohen me përgjegjësinë penale të gjeneralëve dhe se gjeneralët nuk mund të trajtohet si ushtarë.
Autori, GJYQTAR PRANË GJYKATËS SË POSAÇME TË APELIT PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR
