SPAK shpalli pretencën për të pandehurit e dosjes së bujshme “5D”, të cilët akuzohen për përfshirje në një skemë korrupsioni dhe pastrimi parash përmes kompanisë me të njëjtin emër dhe kërkoi dënimin e tyre me 39 vite burgim në total. Për Redi Mollën u kërkuan 11 vjet burg për korrupsion pasiv në shtatë raste, për fshehje pasurie në pesë raste dhe për pastrim parash.
Për Mariglen Qaton u kërkua dënimi me 9 vjet burg për korrupsion pasiv në katër raste, si dhe për pastrim parash dhe fshehje pasurie. Për ish-zyrtarin Taulant Tusha u kërkua dënimi me 4 vjet burgim për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera në 3 raste. Prokurorja e posaçme Anita Jella kërkoi si dënim plotësues për tre ish-zyrtarët e Bashkisë së Tiranës heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.
Për të pandehurit Enton Punavija dhe Julian Zanaj u kërkua dënimi me nga 3 vite burgim secili, ndërsa Albano Janku rrezikon 2 vjet heqje lirie. Edhe për këta të pandehur u kërkua dënimi plotësues për ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike për 5 vjet. Për biznesmenin Nestor Muhametllari SPAK kërkoi dënimin me 7 vite burgim, ndërsa u kërkua konfiskimi i shoqërisë “5D” dhe aseteve të saj. SPAK kërkoi gjithashtu konfiskimin e aseteve të kompanisë “Restur”, si dhe të 24% të aksioneve të kompanisë “Mediterranean Investment Group” sh.p.k.
Hetimet për kompaninë “5D Konstruksion” nisën pas denoncimit të Belind Këlliçit, në atë kohë kandidat i opozitës për Bashkinë e Tiranës. Sakaq, hetimet zbuluan se Redi Molla dhe Mariglen Qato ishin pronarët de facto të kompanisë që ushqehej me tendera nga Bashkia e Tiranës, ku ata mbanin pozicione drejtuese. Më herët, në kuadër të së njëjtës dosje, janë cilësuar fajtorë dhe dënuar kryesisht me shërbim prove ish-zyrtarë të tjerë të Bashkisë së Tiranës.
Sipas pretencës së paraqitur në seancë, organi i akuzës ka kërkuar:
-11 vite burg për Redi Molla
-9 vite burg për Mariglen Qato
-4 vite burg për Taulant Tusha
-3 vite burg për Enton Punavija
-3 vite burg për Julian Zanaj
-2 vite burg për Albano Janku
-7 vite burg për Nestor Muhametllari
Dosja “5D” lidhet me akuza për shkelje të ligjit në procedura publike dhe dyshime për korrupsion, ndërsa mbrojtja e të pandehurve ka kundërshtuar akuzat, duke i cilësuar ato të pabazuara.
