Një efektiv është plagosur me armën e shërbimit në Bazën Ajrore të Kuçovës. Ngjarja është regjistruar pasditen e kësaj të marte, më 3 nëntor, rreth orës 16:46, teksa ushtaraku ishte duke kryer detyrën.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, efektivi me inicialet E.D. ka marrë një plagë në shpatull. Menjëherë pas ngjarjes, atij i është dhënë ndihma e parë dhe është transportuar në Spitalin Rajonal të Beratit.
Nga vlerësimi i mjekëve, parametrat jetësorë të efektivit janë brenda normës dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Më pas, ai është nisur drejt Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë, ku do të vijojë trajtimin e specializuar.
Ndërkohë, Policia Ushtarake ndodhet në vendngjarje dhe po kryen procedurat për dokumentimin e rastit dhe zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të plagosjes.
