Ndërsa prezantoi Igli Tafën si drejtuesin e ri të AKSHI, kryeministri Edi Rama mbrojti në fjalën e tij ish-drejtoreshën Mirlinda Karçanaj, nën akuzë si bashkëpunuese e një grupi kriminal që abuzoi me tenderat e institucionit, dhe akuzoi prokurorinë se i kishte vënë punonjësit e agjencisë nën presion duke “i keqtrajtuar dhe abuzuar”.
Kryeministri Edi Rama prezantoi të martën Igli Tafën si kreun e ri të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, por e shfrytëzoi fjalën e tij prej më shumë se 20 minutash në prezantim për të sulmuar prokurorinë dhe për të mbrojtur ish-drejtoreshën nën hetim për bashkëpunim me një organizatë kriminale.
Në fjali që duket se kundërshtonin njëra-tjetrën, Rama tha se “nuk hynte në meritën e çështjes”, por mori në mbrojtje Karçanaj duke thënë se ajo kishte “një karrierë nga më të shkëlqyerat në shërbimin publik” dhe se po lidhej me “gjëra të cilat nuk kanë asnjë lidhje me Lindën”.
Po ashtu, ndërsa pretendoi se mbështeste atë që e cilësoi revolucion në sistemin e drejtësisë, Rama këmbënguli se ky sistem nuk po respektonte prezumimin e pafajësisë dhe e akuzoi prokurorinë se kishte “keqtrajtuar, abuzuar dhe përballur me metoda shtrëngimi të pajustifikueshme në një republikë demokratike” punonjës të AKSHI-t.
“Nuk është një kompjuter që fiket, por një jetë njeriu që vendoset në një pozitë aspak të admirueshme dhe aspak për t’u pasur zili kur është i pafajshëm”, tha Rama ndër të tjera.
Prokuroria e Posaçme akuzon ish-drejtoreshën jetëgjatë të AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, dhe zëvendësen e saj, Hava Delibashi, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që kishte për qëllim përvetësimin e tenderave të agjencisë. Ndërkohë, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, të cilët akuzohet se drejtonin grupin dhe se u përfshinë në pengmarrje e afera të tjera korruptive, janë shpallur në kërkim.
Të dy ish-drejtueset janë në masa sigurimi “arrest shtëpie” që prej 16 dhjetorit të vitit që shkoi, por kryeministri, nën të cilin vepron AKSHI, nuk ndërhyri deri disa ditë më parë kur vendosi emërimin e Igli Tafës në këtë pozicion.
Tafa, që u prezantua shkurt nga Rama para punonjësve të AKSHI-t si “dikush që ju e njihni”, ishte deri së fundmi drejtues i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, AKSK. Në fjalën e tij, ai premtoi mbështetje dhe energji në vijimin e punës për atë që e quajti “vizioni i kryeministrit” për modernizimin dhe digjitalizimin e të gjitha shërbimeve.
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, është një prej institucioneve më sensitive në vend, pasi menaxhon thuajse të gjithë sistemin e qeverisjes digjitale përmes e-Albania-s, përfshi edhe ministren me Inteligjencë Artificiale, ndërsa kryen rolin e ndërmjetësit mes qytetarëve dhe institucioneve të ndryshme në lëshimin e qindra dokumenteve.
Agjencia ka qenë herë pas here nën kritika për mënyrën e menaxhimit dhe tenderat sekretë, të justifikuar me sigurinë kombëtare, por skema e hetuar nga SPAK zbulon se kjo agjenci dhe informacionet kritike që ajo përpunon iu vunë në dispozicion një grupi kriminal, i cili përdorte, ndër të tjera, pengmarrjen e rivalëve për të siguruar tendera dhe para publike. Ndërkohë që hetimet e SPAK zbulojnë një skemë abuzimi me paratë publike, ato po ashtu ngrenë pikëpyetje mbi cenimin e sigurisë kombëtare./ Birn
