Ndonëse Autoriteti Rrugor Shqiptar, pas bllokimit të qarkullimit në aksin Librazhd-Pogradec i devijoi lëvizjet në itinerarin Maliq-Lozhan-Moglicë-Gramsh edhe kjo rrugë ka shembje të konsiderueshme në të gjithë gjatësinë e saj, duke ngritur pikëpyetje të mëdha për sigurinë e udhëtarëve.

Policia e Korçës bën të ditur për gazetaren Lorena Kodra se nga rruga e Lozhanit do të lejohet vetëm qarkullimi i automjeteve të vogla dhe jo kalimi i autobusëve apo kamionëve, masë kjo e marrë për shkak se ka dëmtime të shumta në të gjithë trupin e rrugës.

Që nga përurimi, aksi Maliq-Lozhan-Moglicë-Gramsh ka pësuar rrëshqitje të konsiderueshme dherash dhe gurësh nga shpati i malit. Po ashtu rruga ka pësuar edhe çarje të asfaltit dhe rrëshqitje anësore, ku barrierat mbajtëse janë deformuar.

Qarkullimi nga juglindja drejt Elbasanit dhe Tiranës po shkon drejt kolapsit, ku veç aksit Librazhd-Pogradec, problematika të shumta ka shfaqur edhe aksi i florinjtë Qukës-Qafë Plloçë. Aksi kombëtar Librazhd-Hotolisht aktualisht po mirëmbahet nga kompania “ANK sh.p.k.”, firmë e cila po kryen edhe punimet për zgjerimin e këtij segmenti, pjesë e Korridorin e Tetë. Deri para shembjes masive kjo rrugë mirëmbahej nga kompania “2T”.

Ndërtimi i aksit Maliq-Lozhan-Moglicë-Gramsh kushtoi 1.4 miliardë lekë, ndërsa aksi Qukës-Qafë Plloçë kushtoi 260 milionë euro, rrugë të cilat u shembën me shirat e parë të vjeshtës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb