I ftuar në “Fundja News 24”, Endri Tafani ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare foli për protestën kombëtare të opozitës që u mbajt më 20 shkurt.
Një protestë që zgjati për më shumë se 3 orë dhe përveç fjalimeve u shoqërua edhe me tensione, përdorim të molotovëve duke mos munguar as gazit lotsjellës nga policia.
Gjatë intervistës në studio, eksperti Tafani tha se sfida më e madhe e Partisë Demokratike mbeten numrat, pasi deri më tani ka treguar që nuk i ka dhe pjesëmarrja nuk ka qenë e konsiderueshme. Kjo sipas tij sjell edhe përdorimin e metodave të tjera për të përcjellë mesazhin, si përdorimi i shisheve të molotovëve apo fishekzjarrëve.
“Sfida më e madhe e PD në Shqipëri është përgjithësisht numrat. Pasi kur numrat janë të mëdhenj, nuk ka nevojë që protestat të jenë të dhunshme. Për momentin numrat nuk janë aty, mundohet që mesazhi që jepet të kalohet me metoda të tjera si përdorimi i shisheve të molotovëve. Këtë herë mesa duket kishin vënë mend dhe episodet e dhunës ishin më të përmbledhura”, tha ai.
Gjithashtu ai u shpreh edhe me një qëndrim kritik për policinë, duke nënvizuar se nuk ka ditur që t’i menaxhojë këto protesta, ndërsa shtoi se ka përdorur gaz lotsjellës edhe pse nuk ishte e domosdoshme duke parë mbarëvajtjen e protestës,.
“Problemi më pas është tek policia që nuk di të menaxhojë në këto raste. Pasi në momentin kur u hodhën fishekzjarrët, Berisha ishte ende duke folur dhe policia do duhet të ndërhynte te grupi që krijon problemet. Dhe më pas përdorimi i gazit lotsjellës, pasi kur turma është e vogël nuk ke nevojë të përdorësh gaz lotsjellës aq më tepër në sasi të mëdha. Këtë herë u fut brena Xhamisë radhën e kaluar edhe në banesa. Pra policia tregoi që edhe pas 30 vitesh nuk arrin dot të menaxhojë një protestë”, tha mes të tjerash ai.
