Pas katastrofës natyrore të ndodhur në zonën e quajtur Arrat e Gurrës, në fshatin Dragostunjë të Librazhdit, ku segmenti rrugor është bërë i pakalueshëm për një kohë të gjatë për shkak të rrëshqitjeve dhe fundosjes masive të tokës, autoritetet kanë vendosur masa të jashtëzakonshme sigurie.

Burime zyrtare konfirmojnë se në terren do të dislokohen forcat e Ushtrisë si dhe efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), me qëllim garantimin e perimetrit të sigurisë dhe parandalimin e çdo rreziku për jetën e qytetarëve. Prania e forcave të sigurisë synon të mbajë nën kontroll zonën, të shmangë hyrjet e paautorizuara dhe të sigurojë mbarëvajtjen e operacioneve teknike.

Segmenti i dëmtuar paraqet rrezik të lartë për shkak të paqëndrueshmërisë së terrenit, ndërsa ekspertët vijojnë monitorimin e situatës. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të respektojnë kufizimet e vendosura dhe të mos afrohen pranë zonës së rrezikut.

Ndërkohë, strukturat shtetërore po punojnë për hartimin e një plani afatgjatë ndërhyrjeje, pasi ky aks konsiderohet me rëndësi të veçantë për qarkullimin dhe lidhjen e zonës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb