Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, i ftuar në studion e News24, ka ngritur alarmin për situatën e rëndë të infrastrukturës rrugore në vend, pas shembjes së disa akseve që lidhin kryeqytetin me juglindjen e Shqipërisë.
Shehaj u ndal veçanërisht tek rasti i urës së shembur në aksni Librazhd-Prrenjas, duke e cilësuar ngjarjen si pasojë të drejtpërdrejtë të abuzimeve me fondet publike. “Kjo urë është shembur sepse janë gërmuar inertet në lumë dhe ura ka humbur bazën mbajtëse. Natyra është përgjigjur, ndërsa kemi të bëjmë me një abuzim të pastër,” deklaroi ai.
Sipas tij, situata bëhet edhe më shqetësuese për shkak të mungesës së transparencës nga autoritetet përkatëse. “Nuk janë në gjendje të thonë se kur do të rregullohet dhe kur do të rivendoset lidhja mes ¾ të Shqipërisë dhe ¼ të juglindjes,” u shpreh Shehaj.
Ai përmendi edhe rastin e një rruge në Skrapar, të ndërtuar në vitin 2019 nga kompania Salillari, e cila sipas tij është shembur. Shehaj akuzoi për lidhje të afërta mes kompanisë dhe përfaqësuesve të qeverisë, duke përmendur edhe kryeministrin Edi Rama. “Është mënyra se si janë zgjedhur ata që kanë ndërtuar rrugët në Shqipëri. Sot vendi ka arritur majat e korrupsionit,” theksoi ai.
Në vijim, Shehaj foli për një bashkëpunim të pretenduar mes shtetit dhe ndërtuesve të rrugëve, duke i akuzuar për ndarje tenderash dhe mungesë kontrolli mbi cilësinë e punimeve. Ai përmendi edhe Belinda Ballukun, për të cilën tha se është përmendur në përgjime lidhur me ndarjen e tenderave. “U zbulua se nuk ka vetëm paaftësi, por edhe korrupsion,” deklaroi ai.
Sipas Shehajt, abuzimi me fondet publike ka arritur nivele ekstreme. “Nëse më parë kujdeseshin që rruga të mos shembej menjëherë, sot rrugët ndërtohen për të zgjatur një muaj deri në disa vite dhe shemben me dy shira,” u shpreh ai.
Lidhur me mungesën e arrestimeve, kreu i Partisë Mundësia theksoi se hetimet kanë nisur në disa raste dhe se drejtësia duhet të bëjë punën e saj. “Ndoshta prokuroria ka nevojë për kohë. Arrestimet po bëhen, përveç rastit të Ballukut që ka imunitetin. Ata që kanë lejuar këto ndërtime duhet dhe do të dalin para drejtësisë,” përfundoi Shehaj.
