Deputeti Belind Këlliçi ishte sot pjesë e takimit të zhvilluar me përfaqësues të PPE në Tiranë.

Në një postim në rrjetet sociale, Këlliçi shkruan se në takim janë ndarë shqetësimet për zhvillimet në vend dhe zgjedhjet e 11 majit, që PD i konsideron farsë elektorale.

“Prezenca e një delegacioni kaq të zgjeruar faktmbledhës në Tiranë, është konfirmim i seriozitetit dhe angazhimit të PD për të mos lejuar farsën e 11 majit dhe për të mos e lënë Shqipërinë të bëjë hapa pas në rrugën e integrimit europian”, shkruan Këlliçi.

Postimi i plotë:

Ardhja në Tiranë e një përfaqësie kaq të zgjeruar nga 28 parti të PPE mes tyre shumë eurodeputetë, me kërkesën e Partisë Demokratike, është një ngjarje pozitive për Opozitën dhe për vendin.
Në takimin që patëm sot bashkë me kolegë të kryesisë së grupit parlamentar të PD, ndamë shqetësimet për zhvillimet aspak demokratike që po ndodhin në vend. Zanafilla e të gjithave, farsa elektorale!
Përfaqësuesit e PPE u njohën me shkelje flagrante që ndodhën me votimet e 11 majit. Me dëshmi konkrete të përfshirjes së grupeve kriminale në shtabet e përfaqësuesve të shumicës dhe të shumë shkeljeve të tjera nga qeveria.
Ndamë idenë se pas kësaj farse, deformimet dhe degradimet në të gjitha aspektet janë shtuar. Autokracia rritet dhe kjo më së pari u pa në Kuvendin e Shqipërisë.
Miqtë nga PPE u njohën me faktin se unë dhe kolegë të tjerë jemi përjashtuar nga Parlamenti që prej datës 19 dhjetor, pse protestuam dhe kërkuam futjen në rendin e ditës të kërkesës së SPAK për imunitetin e zv-Kryeministres Balluku.
U njohën me gjithë panoramën që tregon se parlamentarizmi ka rënë, ku Opozitës i shkelen të drejtat kushtetuese për të hetuar e kontrolluar qeverinë.
Përmasat e korrupsionit dhe lidhjeve kriminale të qeverisë, janë alarmante.
Delegacioni nga PPE u informua me fakte e prova konkrete për abuzimit me fondet publike dhe për mbrojtjen që Edi Rama po i bën korrupsionit dhe tentativave për të krijuar imunitet ekstra për veten e tij, me ligj.
Në këtë takim u vlerësua beteja që po bën PD për votën e lirë dhe kundër korrupsionit e lidhjeve të qeverisë me krimin.
Prezenca e një delegacioni kaq të zgjeruar faktmbledhës në Tiranë, është konfirmim i seriozitetit dhe angazhimit të PD për të mos lejuar farsën e 11 majit dhe për të mos e lënë Shqipërinë të bëjë hapa pas në rrugën e integrimit europian.
Falenderime pafund për miqtë tanë europianë

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb