Emisioni Vetting, News24

Prej gati 3 vitesh në Shkodër në luginën e Kirit 20 familje nuk mund të shkojnë te tokat e tyre, ku kanë prodhime bujqësore me të cilat mbajnë ekonominë familjare. Ahmet Meta, qytetar i Shkodrës, ish-portier i Vllaznisë dhe Besëlidhjes, i është drejtuar redaksisë “Vetting” jo për të folur për futbollin, por për pronën e tij. Ylli në pension i futbollit, sot e sheh pronën e tij vetëm nga kodra përballë, pasi i është izoluar në mënyrë të padrejtë.

“Jam ish-banor i kësaj lagjeje ku ka lindur babai im, por edhe unë para 110 vjetësh. Sot kena një problem në rrugën që kena nda pronat në breg të Kirit të cilat na janë mbyllur rrugët dhe nuk dimë nga të kalojmë”, tha për “Vetting” Ahmet Meta.

Ish-sportisti denoncon se për dekada me radhë ka përdorur një rrugë tradicionale për të hyrë në pronat e tij që shtrihen deri në bregun e Kirit. Sot kjo rrugë është bllokuar, duke i ndërprerë tërësisht aksesin dhe duke shkaktuar vështirësi të mëdha në menaxhimin e tokave të tij në parcela të ndara, ndërkohë që institucionet dremisin mbi këtë problem.

“Aty e mban çdo shkodran, kena kalu prej 70 vjetësh në atë rrugë e sot na e kanë mbyllur. Jemi ankuar edhe në Bashki edhe në Myftini, fjalë të mira na kanë thënë, por asgjë nuk kanë zgjidhur”, u shpreh Meta.

Fjalët e tij nuk reflektojnë vetëm një të drejtë ligjore për akses në tokën që i përket, por edhe dëshpërimin e një qytetari që, pavarësisht historisë personale dhe kontributit të tij në komunitet, sot përballet me një pengesë të padrejtë.

Si banor i kësaj lagjeje, Meta thekson se për vite me radhë kalimi është bërë përmes mirëkuptimit dhe marrëveshjeve me shoqërinë, por sot çdo rrugë është bllokuar. Ky rrëfim pasqyron sesi mungesa e zgjidhjeve institucionale ka çuar në braktisjen e tokës së bukës, ku edhe aty ku ka vullnet për t’u marrë me blegtori dhe bujqësi, shteti nuk është bashkëpunues.

Nga viti 2019 deri në vitin 2024, sipërfaqja e tokës së mbjellë ka rënë me 19 mijë hektarë, pra nga 677 mijë hektarë janë mbjellë 19 mijë hektar më pak, sipas INSTAT-it.

Një tjetër banor i izoluar është Zef Vuksani, një investitor i kthyer nga emigracioni në Itali, i cili rrëfen zhgënjimin e tij nga procedurat burokratike në Shqipëri. Vuksani tregon se edhe pse ka blerë tokën në vitin 1994 me dokumentacion të rregullt dhe certifikatë pronësie, prej më shumë se një dekade nuk ka mundur ta shfrytëzojë maksimalisht për shkak të problemeve me lidhjen në rrugën kombëtare.

“Një copë toke rreth 15 dynym, një qindarkë nuk e kena marrë edhe pse kemi shpenzuar sepse kemi pasur probleme me rrugën. Na kanë bllokuar komplet hyrjen, as banorët nuk na lënë të kalojmë”, tha Vuksani për “Vetting”.

Ai shton më tej se institucionet nuk kanë gjetur një zgjidhje.

“Ky dimër e kena kaluar tërë dimrin në Bashki. Na kanë thënë fjalë të mëdha, por asnjë zgjidhje nuk na kanë dhënë”, shprehet Vuksani.

Hyrja drejt pronës është bllokuar plotësisht. Sipas zotit Vuksani, jo vetëm rruga që të çon tek toka është e pakalueshme, por edhe banorët përreth nuk lejojnë kalimin përmes parcelave të tyre, duke e izoluar dhe duke i pamundësuar shfrytëzimin e pronës së tij, për të cilën ka sakrifikuar me vite.

“Kam nënshtetësi shqiptaro-italiane. Rrezik me marr valixhet me ik andej nga kam ardhur. Është një vend i jashtëzakonshëm për agroturizëm, bashkia na kanë dhënë fjalën”, deklaron Vuksani i zhgënjyer.

Ky i fundit është kthyer në Shqipëri për të investuar në një zonë me potencial të jashtëzakonshëm, ku bashkohen lumenjtë Kiri dhe Buna, duke krijuar një hapësirë prej 15 mijë metrash katrorë me rërë dhe ujë.

Ata pretendojnë se u është mohuar një e drejtë themelore, ajo e kalimit në pronën e tyre përmes servitutit. Banorët theksojnë se ndonëse Bashkia ka dhënë premtime për zgjidhje, asgjë konkrete nuk është bërë.

Në nivel kushtetues, e drejta për pronën dhe përdorimin e saj mbrohet nga neni 41 i Kushtetutës, që garanton pronësinë private dhe përdorimin e saj sipas ligjit. Pra, servituti si e drejtë kalimi mbështetet nga kjo garanci kushtetuese dhe rregullohet në detaje nga ligjet civile. E drejta e kalimit rrjedh nga ligjet civile dhe e drejta e pronës. Sipas Kodit Civil, servituti është një e drejtë reale që i lejon pronarit të një prone të kalojë ose të përdorë pjesërisht pronën e një tjetri për nevoja të caktuara, si kalim ose përdorim rruge.

Kjo skenë është kapur drejtpërdrejt nga kamerat e emisionit Vetting gjatë një vëzhgimi në terren. Në ekran shfaqen pamje të punonjësit që mbyll gardhin, ndërsa zhvillohet dialogu. Kjo është një nga format e bllokimit të aksesit.

Mustafa Leka, tashmë pensionist dhe profesor në profesion, nuk arrin të aksesojë hektarët e tij me mjete, por vetëm duke kaluar me këmbë nëpër bahçet e fqinjëve. Dëmi ekonomik për pensionistin Leka është i konsiderueshëm, duke marrë parasysh pensionet e vogla dhe të pamjaftueshme në vend.

Ai sqaron se nuk di kujt t’i drejtohet për leje kalimi dhe se aksesimi i tokës së tyre varet nga dëshirat e komshinjve. Kjo situatë ka krijuar vështirësi të mëdha në jetën e tyre të përditshme.

“Ka kenë një rrugë tjetër kryesore e kanë zënë njerëz të tjerë, por edhe këtë rrugë na e bllokun. Janë rreth njëzet familje që hanë bukë në këtë tokë“, tha për “Vetting” Mustafa Leka.

Banorët kanë një kërkesë të përbashkët, duan të shkojnë në tokat e tyre. Sipas avokatit Alban Duraj, në këtë rast nuk mund të ketë bllokim të rrugës.

“Nëse rruga është një pronë publike ose shtetërore natyrisht që kjo pjesë e tokës e zënë, e ka statusin në juridiksionin e bashkisë, atëherë i takon asaj të ndërhyjë”, tha avokati Duraj.

Bashkia bëhet pengesë për zgjidhjen e problemit
Vetting ishte në terren për të kaluar nëpër zonat ku banorët nuk kalonin dot, por hasën pengesa nga persona të tjerë pasi sipas këtyre të fundit ishin toka private dhe nuk lejohej kalimi.

Pjesë nga biseda në terren

Vetting: Mund të kalojmë nga ana tjetër andej?

Punëtori: S’bëhet fjalë.

Vetting: Këtu nuk kalohet?

Punëtori: As që bëhet fjalë.

Vetting: Po ju si ia dilni?

Kjo është një pjesë nga biseda në terren e gazetarëve të “Vetting” dhe njërit prej banorëve, që ka pronën atje ku banorë të tjerë pretendojnë se ka qenë rruga. Banorët e kësaj zone kanë ngritur zërin nëpër institucione, por deri më sot nuk kanë marrë asnjë zgjidhje.

“Ka kenë një rrugë tjetër kryesore e kanë zënë njerëz të tjerë, por edhe këtë rrugë na e bllokun. Janë rreth njëzet familje që hanë bukë në këtë tokë. Shteti duhet të zgjidhë këtë problem, kena 3 vjet që ankohemi në bashki, por nuk ka marrë zgjidhje”, shprehet Mustafa Leka.

Sipas avokatit Duraj, Bashkia duhet t’i japë zgjidhje këtij problemi.

“Nëse rruga është një pronë publike ose shtetërore natyrisht që kjo pjesë e tokës e zënë, e ka statusin në juridiksionin e bashkisë, atëherë i takon asaj të ndërhyjë”, u shpreh avokati Duraj.

Vetting ishte pranë Bashkisë Shkodër me banorët për të marrë një sqarim nga institucioni, ku përballë banorëve ishte zv. kryetari i bashkisë Shkodër Alban Preka.

(Kamera e fshehtë)

Zv.kryetari: Unë ju kam thënë për të përhershme bëhet në tetor, nëntor, dhjetor. Buxhetohet dhe lihet për vitin që vjen, e përhershme, përgjithmonë.

Qytetari 1: Sot kemi hallin të shkojmë në pronë pa probleme.

Qytetari 2: Po u bë përgjithmonë…

Zv.kryetari: Po përgjithmonë e bëjmë më vonë, more burrë. Unë jam duke të thënë përgjithmonë bëhet më vonë. Nuk është parashikuar ajo gjë këtë vit, për vitin tjetër bëhet. A jemi shtet?

Ajo zgjidhet vitin tjetër në mënyrë të përhershme, zgjidhet viti që vjen me një rrugë të re. Këtu do bëhet rruga, shpronësohet kush ka për tu shpronësuar, me hap një rrugë të re. Radhën tjetër me arahd e me i dhanë një zgjidhje difinitive.

Qytetari 1: Si burrat eee?

Zv.kryetari: Po mo po, si burrat!

Qytetari 2: Fjala jote në vesh të Perëndisë.

Zv.kryetari: Duhet me qenë bashkëpunues të dyja palët.

Qytetari 1: Janë 20 familje që kërkojnë me shku në bahcet e tyre.

Qytetari 3: Kemi qenë para dy muajsh dhe na the që do ju takojë të gjithëve.

Qytetari 2: Na zgjidhni, pra! (i drejtohet zv.kryetarit të Bashkisë Shkodër)

Zv.kryetari: Pa një marrëveshje nuk shkohet. Ata gënjejnë, por shiko, jemi në këtë situatë, po gjejmë zgjidhje. Kështu do t’ju ulim të dyja palt për të gjetur zgjidhje. Zgjidhjen e japim ne!

Kjo është biseda e zhvilluar midis banorëve të luginës së Kirit në Shkodër dhe zv. kryetarit të Bashkisë Shkodër Alban Preka. Preka u ka premtuar një zgjidhje, por deri në momentin e publikimit të këtij materiali nuk është hapur rruga për banorët.

Sipas avokatit Alban Duraj, banorëve që nga momenti që kanë bërë ankesën e parë në bashki dhe ajo nuk u ka zgjidhur problemin, atyre u lind e drejta për të marrë edhe dëmin që u është bërë.

“Në momentin që nuk merr zgjidhje, u sugjeroj banorëve t’i drejtohen prokurorisë me kallëzim penal për shpërdorim detyre pasi nuk kanë marrë zgjidhje edhe pasi e kanë vënë në dijeni institucionin”, shprehet avokati Duraj.

Avokati shton se në këto raste Bashkia është e detyruar për ta ndërtuar dhe për t’i hequr këto ndërtime pa leje.

“Këtu jemi në veprën penale të shpërdorimit të detyrës nga këta punonjës apo përgjegjës, të cilët nuk e di se kush janë. Është drejtuesi i institucionit për mbrojtjen e territorit, i cili ka për detyrë specifike për ta ushtruar këtë detyrë, duhet që ta kryejë një gjë të tillë. Nëse nuk e ka kryer, atëherë Prokuroria duhet të zhvillojë hetim në lidhje me këtë çështje”, tha avokati Duraj.

Shteti i mbyll sytë ndaj ndërtimeve mes rrugëve
Problemi që kanë ngritur banorët, të cilët nuk kalojnë dot te tokat e tyre për shkak të ndërhyrjeve apo ndërtimeve pa leje evidentohet edhe nga raportet zyrtare të institucioneve.

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit për zbatimin e rekomandimeve të vitit 2022 evidenton një situatë problematike në Shkodër, ku janë lejuar ndërtime informale në zona ku ligji i ndalon qartë, përfshirë zona të mbrojtura, brigje lumenjsh, basene ujore dhe madje mbi trupin e rrugëve ekzistuese.

Sipas auditit, këto ndërtime bien ndesh me ligjin për zonat e mbrojtura, ligjin për menaxhimin e burimeve ujore dhe Kodin Rrugor, duke treguar dështim në të gjitha drejtimet përsa i përket kontrollit institucional.

KLSH-ja kërkon që Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Shkodër të kryejë verifikime në terren për 517 objekte të evidentuara pa leje, të kontrollojë nëse kanë bërë vetëdeklarim për legalizim dhe në rast të kundërt, të nisë procedurat për shfuqizim lejesh dhe përditësim të regjistrave të pasurive.

Në raport parashikohen masa disiplinore për 9 punonjës të përfshirë, duke përfshirë paralajmërime për largim nga puna. Në rastet kur ndërtimet nuk cenojnë projektet rrugore mund të hiqen kufizimet, por kur ato prekin infrastrukturën duhet të anulohen lejet dhe të ndërhyhet ligjërisht.

Në këtë mënyrë, bllokimi i rrugëve që çojnë në pronat e banorëve nuk është thjesht një problem lokal. Ai tregon probleme më të thella me zbatimin e ligjit dhe me mënyrën si funksionojnë institucionet, duke ndikuar drejtpërdrejt jetën dhe të ardhmen e komunitetit.

Sipas të dhënave për tenderët, bashkia ka shpërndarë fondet në disa drejtime, por konkretisht për rikonstruksionin e rrugës “Rragam–Sheldi”, Loti 1, ka alokuar 166 mijë euro. Në garë kanë qenë 7 kompani teksa fitues është shpallur bashkimi S.M.O. Vataksi & S.M.O. Union SHPK me ofertë 116 mijë euro.

Kjo procedurë është ankimuar pasi me shkresën nr. Protokolli 21195 pranë Bashkia Shkodër është depozituar ankesa në lidhje me vendimin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për kompaninë “Delia Impex” shpk. Më pas, me shkresën  “Delia Impex” ka marrë përgjigje negative dhe pretendimet e saj nuk janë marrë parasysh.

“Delia Impex” është skualifikuar sepse autobitumatriçja e marrë me qira nuk kishte të paguara taksat e automjetit dhe nuk kishte certifikatë për transport mallrash të rrezikshëm.

Problematika sipas tenderit lidhet me faktin se kritere që u përdorën për të skualifikuar një kompani, nuk u zbatuan njësoj për kompaninë konkurruese, e cila u shpall fituese. Kjo krijon situatën e dy standardeve të ndryshme në vlerësim.

Komisioni ka evidentuar si kriter të paplotësuar për kompaninë e skualifikuar faktin që mjeti i marrë me qira dhe certifikata e transportit të mallrave brenda vendit nuk ishte “për të tretë”. Ndërkohë edhe fituesi, S.M.O. Vataksi & S.M.O. Union shpk rezulton se ka marrë me qira një mjet, konkretisht “Autobot uji”, nga “G. 2” SHPK, ku sipas dokumentacionit i mungon certifikata “Për transport mallrash brenda vendit për llogari të vet”, pra jo “për të tretë”. Gjithashtu, sipas të njëjtit pretendim, mungon edhe pagesa e taksave të automjetit.

Këto dy elementë janë trajtuar si skualifikuese për BOE “D. I.” shpk & “Rr. U. E.” shpk, por nuk janë trajtuar si të tillë për konsorciumin “S. M. O. U.” shpk & “S.M.O. V.” shpk. KVO-ja ka shkruar se “D. I.” shpk & “Rr. U. E.” shpk nuk plotësonin kriterin sepse certifikatat e mjeteve të marra me qira ishin për përdorim vetjak dhe jo për shërbim ndaj të tretëve. Por ky kriter nuk rezulton të jetë kërkuar shprehimisht në DT, pasi në pikën 2.3.11 kërkohet thjesht një certifikatë për transport mallrash brenda vendit e vlefshme.

Kjo situatë përbën një shkelje serioze dhe krijon rrezik për shpërdorim fondesh publike sepse mosvlerësimi i ofertave sipas të njëjtave kritere cënon parimin e barazisë në prokurim. Sipas të dhënave, ky vlerësim me dy standarde ka sjellë përdorim të fondeve publike në kundërshtim me kërkesat ligjore, në vlerën 16,6 milionë lekë. Një pjesë e këtyre të dhënave evidentohet edhe në Openprocurement.al, platformë e AIS-it, ku në raste të caktuara vendoset edhe “flamur i kuq” kur ka indicie për parregullsi, favorizim ose risk korrupsioni

Ndërkohë, për të njëjtën rrugë është hapur edhe një tender tjetër për Lotin 2 dhe përsëri fituese ka dalë e njëjta kompani, ku kësaj here janë fituar edhe rreth 370 mijë euro nga S.M.O. Vataksi & S.M.O. Union shpk.

Kompania SMO Vataksi ka si administrator dhe aksioner Xhevat Vataksi, emër i njohur për publikun. Më 7 maj 2008, zona në fshatin Daragjat u trondit nga të shtënat me armë, ku Xhevat Vataksi mbeti i plagosur me 4 plumba. Sipas raportimeve të asaj kohe, konflikti lidhej me punime që Vataksi ishte kontraktuar nga shteti t’i kryente dhe që prekën edhe pronën e autorit të dyshuar. Palët e kishin diskutuar disa herë çështjen, pa arritur marrëveshje, ndërsa 60-vjeçari i kishte bërë të ditur se ai ishte i detyruar të zbatonte vetëm projektin “në letër”.

Po ashtu, Xhevat Vataksi është pronar i një firme ndërtimi që është nënkontraktuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për rikonstruksionin e segmentit Bërdicë-Trush në aksin Shkodër-Velipojë.

Në planin social, pasojat reflektohen te komuniteti lokal, ku banorët raportojnë bllokim të rrugëve hyrëse drejt pronave të tyre dhe mungesë reagimi nga institucionet. Sipas dëshmive të banorëve, siç është rasti i luginës së Kirit, edhe hyrja alternative është penguar, ndërsa ankesat drejtuar bashkisë dhe institucioneve të tjera kanë sjellë vetëm premtime për zgjidhje të përkohshme, pa një ndërhyrje përfundimtare.

Në tërësi, Kontrolli i Lartë i Shtetit nxjerr në pah dobësi serioze në zbatimin e ligjit, kontrollin e territorit, menaxhimin e fondeve publike dhe reagimin institucional, duke e kthyer problemin nga një çështje lokale në një tregues të mangësive më të gjera në administrimin publik dhe mbrojtjen e interesave të komunitetit.

Për shkak të institucioneve që kanë lënë situatën në këtë pikë, një tjetër aktor që ka pasur mundësi të japë kontributin e vet këtij komuniteti, tek rruga tjetër që këta banorë kishin, sipas tyre është bllokuar nga xhamia e Plumbit.

Kjo xhami është një nga ndërtesat më të vjetra të Shkodrës dhe xhamia më e madhe dhe më e bukur e Shqipërisë deri në gjysmën e parë të shekullit të XX.

Xhamia ka qenë e veshur me plumb prandaj u quajt “Xhamia e Plumbit”, e me këtë emër njihet edhe sot. Xhamia e Plumbit është ndërtuar në vitin 1773-1774 rrëzë Kalasë së Rozafës në Lagjen Qafë të Shkodrës me një arkitekturë osmane dhe sot është Monument Kulture i Kategorisë së Parë.

Xhamia është e vendosur në pjesën e jashtme të pazarit të Shkodrës, rrëzë kalasë Rozafa, në një livadh në rrafshinën e lumit Kir e Drin. Banorët shprehen se bllokimi i njëres rrugë që kishte mbetur edhe e vetmja shpresë për ta për të zhbllokuar pronat e tyre është bllokuar me fillimin e punimeve të xhamisë së Plumbit.

Ata shprehen se e kanë ngritur shqetësimin si në Bashki, por edhe në Xhami. Megjithatë kjo gjë nuk ka marrë zgjidhje.

Dhjetëra qytetarë të pajisur me dokumente pronësie dhe shpresa për të investuar në tokën e tyre sot ndihen të përjashtuar.  Në fund, ajo që qëndron nuk është vetëm një rrugë e mbyllur, por një sistem që lejon padrejtësitë të vazhdojnë, duke i lënë qytetarët në mes të betejës së tyre për një të drejtë të thjeshtë. Institucionet që premtojnë zgjidhje heshtin ose bien pre e korrupsionit dhe e mosveprimit ndërsa banorët luftojnë për të mbrojtur pronat dhe dinjitetin e tyre.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb