WASHINGTON- Frika e nisjes së një lufte mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme po rritet, ndërsa ambasadat kanë evakuuar stafin, ndërsa linjat ajrore kanë anuluar fluturimet pas rritjes së tensioneve.
Nga ana tjetër bisedimet mbi programin bërthamor të Iranit hynë në raundin e tyre të dytë. Administrata Trump paralajmëroi për pasoja drastike nëse negociatorët iranianë nuk bëjnë lëshime të rëndësishme.
Ndërkohë, qytetarët e vendeve të Lindjes së Mesme po përgatiten për mundësinë e një lufte të re rajonale, pas konflikteve të shumta që kanë shpërthyer që nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 dhe lufta pasuese izraelite në Gaza.
Në Liban, të gjithë sytë janë te Hezbollahu, dhe qytetarët e lodhur nga lufta kanë frikë se grupi i mbështetur nga Irani mund të përfshihet në ndonjë luftë midis Uashingtonit dhe Teheranit. Izraeli e ka bërë të qartë se i gjithë Libani do të përballet me probleme nëse Hezbollahu sulmon, duke i përcjellë në këtë mënyrë edhe një mesazh qeverisë libaneze se infrastruktura kritike, siç është aeroporti i Bejrutit do të bombardohet.
Ndërsa, Australia të mërkurën njoftoi se u kishte thënë misioneve të saj diplomatike në Izrael dhe Liban të largoheshin nga të dy vendet. Qeveria australiane gjithashtu u ka ofruar largime vullnetare anëtarëve të trupit të saj diplomatik nën mbrojtjen e saj në Emiratet e Bashkuara Arabe, Katar dhe Jordani, mes asaj që ministria e Jashtme e përshkroi si një “situatë të përkeqësuar të sigurisë në rajon”.
Brazili javën e kaluar i këshilloi qytetarët e tij të largoheshin nga Irani, pas një paralajmërimi të ngjashëm për qytetarët e tij në Liban në janar.
Në Liban, njerëzit kanë filluar të marrin masa paraprake për t’u përgatitur për një luftë të mundshme, duke shtyrë udhëtimet për të shmangur bllokimin jashtë vendit dhe duke grumbulluar furnizime thelbësore.
Për javë të tëra, frika e shtuar për një konflikt ushtarak midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ka bërë që linjat ajrore të pezullojnë fluturimet drejt dhe mbi vendet e rajonit.
Lindja e Mesme ka vuajtur nga konflikte ushtarake në shkallë rajonale që nga sulmi i 7 tetorit, duke përfshirë një luftë 12-ditore midis Iranit dhe Izraelit, bombardime të herëpashershme midis Huthëve dhe izraelitëve, si dhe bombardime izraelite të Sirisë.
Gjatë luftës 12-ditore në qershor, pjesa më e madhe e Lindjes së Mesme mbeti pa fluturime, pasi linjat ajrore anuluan fluturimet në të gjithë rajonin.
Çdo natë, njerëzit në Irak, Siri, Jordani dhe Liban shikonin raketat balistike iraniane që hidheshin në qiellin e tyre, herë pas here shpërthenin në ajër dhe binin në oborret e tyre.
Pasojat e një lufte tjetër SHBA-Iran, e cila mund të ndikojë në Izraelin dhe grupet e mbështetura nga Irani në të gjithë rajonin, shtrihen në jetesën e njerëzve në rajon. Shumë njerëz, veçanërisht Libani, Jordania dhe Izraeli, varen shumë nga turizmi, çdo konflikt i ripërtërirë do të dëmtonte më tej sektorët e tyre të turizmit që tashmë janë në vështirësi.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe zyrtarët e tij kanë thënë se Irani po rindërton programin e tij të armëve bërthamore dhe kanë bërë thirrje që të heqë dorë.
