Emisioni Vetting

Shteti i mbyll sytë ndaj ndërtimeve mes rrugëve
Problemi që kanë ngritur banorët, të cilët nuk kalojnë dot te tokat e tyre për shkak të ndërhyrjeve apo ndërtimeve pa leje evidentohet edhe nga raportet zyrtare të institucioneve. Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit për zbatimin e rekomandimeve të vitit 2022 evidenton një situatë problematike në Shkodër, ku janë lejuar ndërtime informale në zona ku ligji i ndalon qartë, përfshirë zona të mbrojtura, brigje lumenjsh, basene ujore dhe madje mbi trupin e rrugëve ekzistuese.

Sipas auditit, këto ndërtime bien ndesh me ligjin për zonat e mbrojtura, ligjin për menaxhimin e burimeve ujore dhe Kodin Rrugor, duke treguar dështim në të gjitha drejtimet përsa i përket kontrollit institucional. KLSH-ja kërkon që Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Shkodër të kryejë verifikime në terren për 517 objekte të evidentuara pa leje, të kontrollojë nëse kanë bërë vetëdeklarim për legalizim dhe në rast të kundërt, të nisë procedurat për shfuqizim lejesh dhe përditësim të regjistrave të pasurive.

Në raport parashikohen masa disiplinore për 9 punonjës të përfshirë, duke përfshirë paralajmërime për largim nga puna. Në rastet kur ndërtimet nuk cenojnë projektet rrugore mund të hiqen kufizimet, por kur ato prekin infrastrukturën duhet të anulohen lejet dhe të ndërhyhet ligjërisht.

Në këtë mënyrë, bllokimi i rrugëve që çojnë në pronat e banorëve nuk është thjesht një problem lokal. Ai tregon probleme më të thella me zbatimin e ligjit dhe me mënyrën si funksionojnë institucionet, duke ndikuar drejtpërdrejt jetën dhe të ardhmen e komunitetit.

Sipas të dhënave për tenderët, bashkia ka shpërndarë fondet në disa drejtime, por konkretisht për rikonstruksionin e rrugës “Rragam–Sheldi”, Loti 1, ka alokuar 166 mijë euro. Në garë kanë qenë 7 kompani teksa fitues është shpallur bashkimi S.M.O. Vataksi & S.M.O. Union SHPK me ofertë 116 mijë euro.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Kjo procedurë është ankimuar pasi me shkresën nr. Protokolli 21195 pranë Bashkia Shkodër është depozituar ankesa në lidhje me vendimin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për kompaninë “Delia Impex” shpk. Më pas, me shkresën “Delia Impex” ka marrë përgjigje negative dhe pretendimet e saj nuk janë marrë parasysh.

“Delia Impex” është skualifikuar sepse autobitumatriçja e marrë me qira nuk kishte të paguara taksat e automjetit dhe nuk kishte certifikatë për transport mallrash të rrezikshëm. Problematika sipas tenderit lidhet me faktin se kritere që u përdorën për të skualifikuar një kompani, nuk u zbatuan njësoj për kompaninë konkurruese, e cila u shpall fituese. Kjo krijon situatën e dy standardeve të ndryshme në vlerësim.

Komisioni ka evidentuar si kriter të paplotësuar për kompaninë e skualifikuar faktin që mjeti i marrë me qira dhe certifikata e transportit të mallrave brenda vendit nuk ishte “për të tretë”. Ndërkohë edhe fituesi, S.M.O. Vataksi & S.M.O. Union shpk rezulton se ka marrë me qira një mjet, konkretisht “Autobot uji”, nga “G. 2” SHPK, ku sipas dokumentacionit i mungon certifikata “Për transport mallrash brenda vendit për llogari të vet”, pra jo “për të tretë”.

Gjithashtu, sipas të njëjtit pretendim, mungon edhe pagesa e taksave të automjetit. Këto dy elementë janë trajtuar si skualifikuese për BOE “D. I.” shpk & “Rr. U. E.” shpk, por nuk janë trajtuar si të tillë për konsorciumin “S. M. O. U.” shpk & “S.M.O. V.” shpk. KVO-ja ka shkruar se “D. I.” shpk & “Rr. U. E.” shpk nuk plotësonin kriterin sepse certifikatat e mjeteve të marra me qira ishin për përdorim vetjak dhe jo për shërbim ndaj të tretëve. Por ky kriter nuk rezulton të jetë kërkuar shprehimisht në DT, pasi në pikën 2.3.11 kërkohet thjesht një certifikatë për transport mallrash brenda vendit e vlefshme.

Kjo situatë përbën një shkelje serioze dhe krijon rrezik për shpërdorim fondesh publike sepse mosvlerësimi i ofertave sipas të njëjtave kritere cënon parimin e barazisë në prokurim. Sipas të dhënave, ky vlerësim me dy standarde ka sjellë përdorim të fondeve publike në kundërshtim me kërkesat ligjore, në vlerën 16,6 milionë lekë.

Një pjesë e këtyre të dhënave evidentohet edhe në Openprocurement.al, platformë e AIS-it, ku në raste të caktuara vendoset edhe “flamur i kuq” kur ka indicie për parregullsi, favorizim ose risk korrupsioni Ndërkohë, për të njëjtën rrugë është hapur edhe një tender tjetër për Lotin 2 dhe përsëri fituese ka dalë e njëjta kompani, ku kësaj here janë fituar edhe rreth 370 mijë euro nga S.M.O. Vataksi & S.M.O. Union shpk.

Kompania SMO Vataksi ka si administrator dhe aksioner Xhevat Vataksi, emër i njohur për publikun. Më 7 maj 2008, zona në fshatin Daragjat u trondit nga të shtënat me armë, ku Xhevat Vataksi mbeti i plagosur me 4 plumba. Sipas raportimeve të asaj kohe, konflikti lidhej me punime që Vataksi ishte kontraktuar nga shteti t’i kryente dhe që prekën edhe pronën e autorit të dyshuar.

Palët e kishin diskutuar disa herë çështjen, pa arritur marrëveshje, ndërsa 60-vjeçari i kishte bërë të ditur se ai ishte i detyruar të zbatonte vetëm projektin “në letër”. Po ashtu, Xhevat Vataksi është pronar i një firme ndërtimi që është nënkontraktuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për rikonstruksionin e segmentit Bërdicë-Trush në aksin Shkodër-Velipojë.

Në planin social, pasojat reflektohen te komuniteti lokal, ku banorët raportojnë bllokim të rrugëve hyrëse drejt pronave të tyre dhe mungesë reagimi nga institucionet. Sipas dëshmive të banorëve, siç është rasti i luginës së Kirit, edhe hyrja alternative është penguar, ndërsa ankesat drejtuar bashkisë dhe institucioneve të tjera kanë sjellë vetëm premtime për zgjidhje të përkohshme, pa një ndërhyrje përfundimtare.

Në tërësi, Kontrolli i Lartë i Shtetit nxjerr në pah dobësi serioze në zbatimin e ligjit, kontrollin e territorit, menaxhimin e fondeve publike dhe reagimin institucional, duke e kthyer problemin nga një çështje lokale në një tregues të mangësive më të gjera në administrimin publik dhe mbrojtjen e interesave të komunitetit.

Për shkak të institucioneve që kanë lënë situatën në këtë pikë, një tjetër aktor që ka pasur mundësi të japë kontributin e vet këtij komuniteti, tek rruga tjetër që këta banorë kishin, sipas tyre është bllokuar nga xhamia e Plumbit. Kjo xhami është një nga ndërtesat më të vjetra të Shkodrës dhe xhamia më e madhe dhe më e bukur e Shqipërisë deri në gjysmën e parë të shekullit të XX. Xhamia ka qenë e veshur me plumb prandaj u quajt “Xhamia e Plumbit”, e me këtë emër njihet edhe sot.

Xhamia e Plumbit është ndërtuar në vitin 1773-1774 rrëzë Kalasë së Rozafës në Lagjen Qafë të Shkodrës me një arkitekturë osmane dhe sot është Monument Kulture i Kategorisë së Parë. Xhamia është e vendosur në pjesën e jashtme të pazarit të Shkodrës, rrëzë kalasë Rozafa, në një livadh në rrafshinën e lumit Kir e Drin. Banorët shprehen se bllokimi i njëres rrugë që kishte mbetur edhe e vetmja shpresë për ta për të zhbllokuar pronat e tyre është bllokuar me fillimin e punimeve të xhamisë së Plumbit. Ata shprehen se e kanë ngritur shqetësimin si në Bashki, por edhe në Xhami.

Megjithatë kjo gjë nuk ka marrë zgjidhje. Dhjetëra qytetarë të pajisur me dokumente pronësie dhe shpresa për të investuar në tokën e tyre sot ndihen të përjashtuar. Në fund, ajo që qëndron nuk është vetëm një rrugë e mbyllur, por një sistem që lejon padrejtësitë të vazhdojnë, duke i lënë qytetarët në mes të betejës së tyre për një të drejtë të thjeshtë. Institucionet që premtojnë zgjidhje heshtin ose bien pre e korrupsionit dhe e mosveprimit ndërsa banorët luftojnë për të mbrojtur pronat dhe dinjitetin e tyre.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb