TIRANË- Në zemër të kryeqytetit, larg dritave dhe zhurmës së përditshme, fshihet një histori e dhimbshme varfërie ekstreme. Në një godinë të amortizuar, mes lagështirës, mureve të plasaritura dhe pranisë së minjve që lëvizin lirshëm, jetojnë 11 fëmijë të mitur, nga vetëm 8 muajsh deri në 9 vjeç.
Fëmijë që në vend të lodrave dhe kujdesit të merituar, përballen çdo ditë me mungesën e ushqimit, ngrohjes dhe kushteve minimale të jetesës. 30-vjeçarja, nënë e 8 fëmijëve, mban mbi supe një barrë edhe më të rëndë.
Pas burgosjes së vëllait të saj, nusja e tij braktisi tre fëmijët e saj, duke ia lënë në derë kësaj familjeje tashmë të mbingarkuar.
30-vjeçarja rikthehet për të disatën herë në emisionin “Me Zemër të Hapur”, me shpresën se zëri i saj do të dëgjohet. Ajo nuk kërkon luks, por vetëm kushte minimale jetese për fëmijët, një çati të sigurt, ushqim të mjaftueshëm dhe mundësinë që ata të rriten me dinjitet.
Apeli i saj është një thirrje për ndihmë, një lutje që këta 11 fëmijë të mos mbeten peng i varfërisë ekstreme dhe rrethanave të pamëshirshme të jetës.
“Vëllai po bën 6 muaj që është në burg. Para gjashtë muajsh kishe disa probleme. Unë gjithashtu po bën 5 muaj që po mbaj edhe fëmijët e vëllait. Por nuk e kam bërë të ditur sepse nuk doja që t’i nxirrja. Nusja e vëllait quhet Kamela, por me vëllain nuk kanë kurorë. Është rreth 25-vjeçe. Dhe prej 5 vitesh bashkëjeton me vëllain dhe marrëdhënia e tyre ka qenë shumë e mirë. Kur nusja e vëllait është larguar kemi qenë të gjithë në gjumë. Nuk e kam kuptuar fare vetëm e më dukej pak e trembur. Me sa kam marrë vesh Kamela është rikthyer te familja e saj. Kamela jeton në Vlorë me hallën e saj. Prindërit e di që i ka jashtë shtetit. Di që i ka thënë nënës time që ‘nuk dua të rri më me djalin tënd sepse ka bërë gabim. Dhe më pas ka ikur. Por fëmijët i la”, rrëfeu 30-vjeçarja.
Sot, 11 fëmijë ndajnë të njëjtin fat, të rritur në kushte të jashtëzakonshme varfërie, ku çdo ditë është një sfidë për mbijetesë.
Çdokush që ka mundësi për ndihmë, ky është numri i telefonit 068 872 5650 , për të kontaktuar.
Kryefamiljari punon pa pushim, duke bërë çdo lloj pune krahu, vetëm që të sigurojë dy vakte të thjeshta në ditë për fëmijët e tij. Por përpjekjet e tij nuk mjaftojnë për të përballuar nevojat e një familjeje kaq të madhe.
