Presidenti Bajram Begaj, mbajti sot një fjalim para Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, të mbledhur në një seancë të posaçme.

Kreu i Shtetit përcolli mesazhe të rëndësishme për sa i përket marrëdhënies mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, të cilën e vlerësoi si shtyllë të rëndësishme të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Në fokus të këtij fjalimi ishin dhe sfidat, siguria dhe stabiliteti në Ballkan, si dhe angazhimi i përbashkët për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, që në vlerësimin e Presidentit Begaj nuk është vetëm destinacion, por dhe standard. Thelbësor në mesazhin e Presidentit të Republikës është rëndësia e bashkëjetesës ndëretnike në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Kreu i Shtetit riafirmoi përkushtimin ndaj parimeve dhe angazhimeve të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.

Fjala e plotë:

Është nder i veçantë të flas sot para jush, në Kuvendin e një shteti me të cilin ndajmë më shumë se një kufi. Republika e Maqedonisë së Veriut nuk është vetëm një vend fqinj i afërt, partner i besuar dhe aleat në NATO, por një prej vendeve me të cilat Republika e Shqipërisë ka marrëdhënie tradicionalisht të mira, miqësore dhe intensive.
Ndihem i nderuar që jam sot me ju për t’ju sjell përshëndetjet më të ngrohta të shtetit shqiptar, të institucioneve dhe qytetarëve të saj!
Vij në Shkup për të riafirmuar një fakt: marrëdhënia mes dy vendeve tona është ndërtuar mbi zgjedhje të vetëdijshme politike, mbi respekt të ndërsjellë, partneritet dhe mbi bindjen se stabiliteti ynë është i përbashkët. Dy vendet tona ndajnë interesa, sfida dhe një vizion të përbashkët evropian.
Ne kemi bashkëpunuar ngushtë duke i sprovuar lidhjet, miqësitë dhe fqinjësinë, por, mbi të gjitha, raportet tona kanë arritur të kenë ndikim pozitiv edhe në rajon. Ato janë dhe mbeten një shtyllë e rëndësishme e stabilitetit, bashkëpunimit rajonal dhe orientimit Euroatlantik të rajonit. Për Shqipërinë, Maqedonia e Veriut është edhe një faktor kyç në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe kohezionit ndëretnik.

Kur Ballkani po kalonte një periudhë të pasigurt dhe shteti juaj po hidhte hapat e parë, Shqipëria ishte vendi i parë që e njohu. Ishte, gjithashtu, Republika e Shqipërisë që ratifikoi ndër të parat marrëveshjen e anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO. Kur izolimi ekonomik rrezikonte zhvillimin tuaj, Porti i Durrësit u kthye në një derë të hapur për tregtinë dhe frymëmarrjen ekonomike. Një fjalë e urtë e jona thotë: “Fqinji mirë njihet në ditë të vështira!”
Historia e vendeve tona dëshmon një histori suksesi të bazuar në dialogun intensiv, në ndërtimin e urave të komunikimit në funksion të vlerave dhe interesave të përbashkëta, mbështetje reciproke për rrugëzgjidhje sa më konstruktive, si dhe maturi në evitimin e prirjeve nacionaliste. Ne jemi vende anëtare në NATO, jemi në rrugëtim të përbashkët drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, jemi shtete me orientim të qartë pro Perëndimor dhe vende në miqësi të fortë edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne jemi vende që kapërcyem jo pa sakrifica e vështirësi sfidat drejt një demokracie funksionale dhe shtetit të së drejtës dhe mësuam nga përvojat reciproke.

Sot, marrëdhëniet tona janë një shtyllë stabiliteti në Ballkanin Perëndimor. Por stabiliteti nuk mjafton. Ai duhet të përkthehet në zhvillim konkret, në ekonomi më të fortë dhe në mirëqenie për qytetarët tanë.

Dy vendet tona kanë nivel të lartë bashkëpunimi politik, si në raport dypalësh, ashtu edhe në atë shumëpalësh rajonal dhe më gjerë. Ne takohemi, flasim, kuptohemi dhe ndërveprojmë në të gjitha nivelet politike dhe diplomatike. Ky nivel bashkëpunimi politik dhe angazhimi ndaj Bashkimit Evropian ka nevojë të shoqërohet edhe me nivele të njëjta të bashkëpunimit ekonomik, si dhe në fusha të tjera. Ne kemi tashmë marrëveshje e nisma të shumta lidhur me projekte e sektorë të veçantë, por kemi akoma shumë për të bërë.

Ne duhet të investojmë më shumë në ndërlidhjen energjetike dhe infrastrukturore, energjinë e rinovueshme, në teknologji dhe turizmin ndërkufitar. Ne duhet të thellojmë bashkëpunimin ekonomik dhe shoqëror midis dhomave të tregtisë, sipërmarrësve, shkëmbimet universitare, akademike dhe kulturore.
Ky bashkëpunim ekonomik dhe shoqëror na ndihmon jo vetëm të bëjmë progresin e ekonomive tona, por edhe të forcojmë bashkëveprimin në drejtim të kërcënimeve të përbashkëta të sigurisë. Një treg rajonal funksional nuk është slogan politik, por është domosdoshmëri ekonomike dhe investim në siguri.

Korridori VIII është shembulli më i qartë se si bashkohen siguria dhe zhvillimi. Ai lidh Mesdheun me Detin e Zi, shkurton distanca, ul kosto, rrit konkurrueshmërinë. Për biznesin është arterie tregtie, për qytetarët është mundësi punësimi, për rajonin është mesazh sigurie dhe se bashkëpunimi është më fitimprurës se izolimi. Korridori VIII është më shumë se një rrugë transporti, është projekt strategjik i integrimit rajonal dhe i sigurisë Euroatlantike, si dhe e vendos Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në zemër të këtij boshti strategjik.
Viti 2026 na gjen përballë sfidave të reja gjeopolitike. Siguria evropiane sot nuk matet vetëm me deklarata, por me infrastrukturë konkrete dhe ndërlidhje strategjike.
Investimi në Korridorin VIII është investim në mbrojtje kolektive, në rritje ekonomike dhe në integrim rajonal.

Të nderuar deputetë,
Agresioni ndaj Ukrainës në nivel kontinental dhe rasti i Banjskës në nivel rajonal tregojnë se liria, paqja, siguria, sovraniteti dhe demokracia janë ende nën kërcënime. Rajoni ynë mbetet një prej zonave me ndjeshmëri në treguesit e sigurisë dhe kërcënimeve. Prandaj politikat tona të sigurisë duhet të adresojnë jo vetëm sfidat dhe kërcënimet tradicionale, por edhe ato të lidhura më ekonominë, sundimin e ligjit, luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe besimin e qytetarëve në institucionet publike. Ne jemi dy vende anëtare në NATO. Kjo nuk është thjesht një përkatësi formale, është angazhim strategjik, është përgjegjësi e përbashkët.
Anëtarësia jonë në NATO garanton sigurinë kolektive, por ajo kërkon edhe kontribut aktiv. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut marrim pjesë aktive në misione, kontribuojmë në stabilitet dhe ndajnë barrën e mbrojtjes.

Në një kohë kur siguria evropiane është vënë në provë, roli ynë si aleatë bëhet edhe më i rëndësishëm. Mobiliteti ushtarak, mbrojtja e infrastrukturës kritike dhe koordinimi në emergjenca janë çështje konkrete ku bashkëpunimi ynë duhet të thellohet.
Shqipëria është duke avancuar me NATO-n disa projekte që kanë impakt për forcimin e sigurisë, si në nivel rajonal, dhe do të mikpresë vitin e ardhshëm Samitin e NATO-s në Tiranë.

Pjesë e këtyre angazhimeve është edhe mbështetja që Republika e Shqipërisë i jep Republikës së Kosovës, anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare dhe progresit Euroatlantik, por që mendoj se padrejtësisht ka mbetur jashtë procesit integrues në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Shqipëria vlerëson bashkëpunimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për bashkëpunimin me Republikën e Kosovës, për kontributin në KFOR, për mbështetjen që i jep asaj për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, si dhe për një prej vendeve të para që njohu Republikën e Kosovës. Shqipëria e vlerëson këtë bashkëpunim edhe si investim për forcimin e paqes, sigurisë dhe progresit në të gjithë rajonin tonë. Në 18 vitet e fundit, si shtet i ri, Kosova dëshmon se ka krijuar një shtet e shoqëri demokratike, integrues për pakicat, të hapur për dialog e bashkëpunim efektiv me të gjitha vendet fqinje.

Të nderuar deputetë,
Në këtë qytet ku jemi mbledhur sot lindi dhe u rrit Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, Nobelistja e Paqes, Nënë Tereza e Kalkutës, sot shenjtorja Terezë. Kjo bijë shqiptare, e lindur në Shkup, është simbol universal i dashurisë, paqes dhe humanizmit. Ajo na kujton se mbi çdo strategji, mbi çdo projekt dhe mbi çdo interes qëndron dinjiteti i njeriut.
Ashtu si Liqeni i Ohrit, kjo pasuri e çmuar e UNESCO-s që ne e ndajmë na tregon se natyra nuk njeh vija ndarëse. Uji i tij është i njëjtë në të dyja anët. Përgjegjësia është e përbashkët. Ohri na fton që, ashtu siç mbrojmë bashkë ekosistemin e tij, të mbrojmë bashkë edhe ekosistemin tonë politik, social dhe kulturor.
Siguria dhe prosperiteti ynë janë të ndërlidhura.
Shqipëria ndjek me vëmendje dhe interes zhvillimet në vendin tuaj, është interesi ynë kombëtar, ashtu sikurse dhe ju ndiqni zhvillimet në Shqipëri.
Këtë vit shënohet 25-vjetori i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, një gur themeli për rendin kushtetues dhe bashkekzistencës ndëretnike në Maqedoninë e Veriut. Ajo marrëveshje dëshmoi se dialogu mund të mposhtë krizën, sado e thellë qoftë ajo, dhe se barazia nuk e dobëson shtetin, por e forcon atë.
Shqipëria e vlerëson Marrëveshjen e Ohrit si arritje historike.
Ju jeni pjesë e një parlamenti që bëri histori dhe krijoi një model referues për të tjerët kur miratoi Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, duke konturuar një shoqëri pranuese, pluraliste, shumëetnike dhe demokratike. Prej atëherë është bërë shumë. Realitetet dhe treguesit nuk mund të krahasohen, megjithatë është koha të riafirmojmë përkushtimin ndaj parimeve dhe angazhimeve të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
Shqipëria beson se përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve në institucionet shtetërore, zbatimi i plotë dhe efektiv i ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe dhe ruajtja e funksionimi i mekanizmave të barazisë nuk janë çështje teknike. Ato janë elemente thelbësore për kohezionin social, stabilitetin institucional dhe perspektivën evropiane.
Koha na ka dhënë mësimin se vendimmarrjet e balancuara dhe gjithëpërfshirëse janë zgjidhja më e mirë për klimën e besimit për të gjithë qytetarët dhe me të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike, bindjeve fetare apo atyre politike.

Faktori shqiptar në Maqedoninë e Veriut ka qenë, është e do të vijojë të jetë një faktor shtetformues, bashkëpunues, përfshirës, konstruktiv dhe demokratik.
Shqiptarët kanë qenë dhe mbeten kontribuues kyç për stabilitetin politik, në qeverisje dhe në avancimin Euroatlantik. Por ky realitet është sukses i përbashkët i të gjithë qytetarëve, sepse një shtet multietnik funksionon vetëm kur secili është i përfaqësuar dhe i barabartë para ligjit.
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe maqedonasit në Shqipëri janë një urë e fortë lidhjeje, miqësie dhe bashkëpunimi mes dy vendeve tona. Ky është kapital politik e njerëzor që duhet ruajtur dhe duhet forcuar.
Bashkëpunimi rajonal mbetet element kyç në afrimin tonë në Bashkimin Evropian. Integrimi evropian nuk është vetëm objektiv i Shqipërisë, por është projekt i përbashkët dhe drejtim strategjik i rajonit tonë. Vendet tona meritojnë një mesazh më mbështetës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Zgjerimi nuk është kosto për Evropën, as një vendimmarrje që tejkalon kufijtë apo historinë. Është një proces natyral, i pashmangshëm, i domosdoshëm, i merituar, historik dhe strategjik me përfitues për dyja anët: për Bashkimin Evropian dhe për rajonin.
Evropa nuk është vetëm destinacion, është standard, është sundim i ligjit, është funksionim institucionesh, ekonomi konkurruese dhe barazi reale për të gjithë qytetarët.
Maqedonia e Veriut ka bërë zgjedhje të guximshme. Ka marrë vendime të vështira për të ecur përpara dhe Shqipëria ju mbështet, ju mbështet pa ekuivok ne procesin e integrimit evropian.
Çështjet e hapura me fqinjë, debatet historike, retorikat nacionaliste, të gjitha ndikojnë klimën e besimit, por ne besojmë se zgjidhja është dialogu, respektimi i marrëveshjeve, përmbushja e reformave dhe maturia politike.
Edhe shqiptarët, edhe maqedonasit, e dinë thënien se në Ballkan prodhohet politikë më shumë se ç’mund të konsumohet. Ne e dimë se në Ballkan historia shpesh ka qenë e zhurmshme, por ne kemi detyrimin që të ardhmen ta bëjmë të qetë, ta bëjmë të qartë e më të begatë.
Fqinjësia nuk është vetëm realitet gjeografik, është përgjegjësi e përbashkët. Çfarëdo që të ndodhë në mjedisin ndërkombëtar, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë dhe do të mbeten fqinjë. Gjeografia nuk ndryshon, por cilësia e marrëdhënies sonë varet nga ne.
Pyetja nuk është nëse do të jemi afër njëri-tjetrit. Pyetja është sa të fortë, sa bashkëpunues, sa të koordinuar dhe sa vizionarë do të jemi.
Të thellojmë bashkëpunimin tonë ekonomik. Të forcojmë koordinimin si aleatë në NATO. Të investojmë në infrastrukturë, arsim dhe kulturë. Të mbrojmë së bashku Liqenin e Ohrit si trashëgimi e brezave që vijnë. Të krijojmë më shumë mundësi për të rinjtë tanë, që ta ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu, në vendet tona. Të investojmë më shumë në lidhjen njerëzore mes nesh. Ta bëjmë këtë marrëdhënie model bashkëpunimi ndëretnik, ndërkufitar dhe ndërinstitucional.
Ne kemi sprovuar e provuar se dimë të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit në kohë të vështira. Tani është koha të ecim së bashku drejt një rajoni më të integruar, më konkurrues dhe më të drejtë.
Zonja dhe zotërinj,
Në muret e këtij Parlamenti rreh zemra e një shteti shumetnik, që ka treguar se mund të jetë një model bashkëjetese. Shqipëria do të jetë gjithmonë këtu, jo vetëm si fqinje, jo vetëm si partnere ekonomike, jo vetëm si aleate në NATO, por si mbështetësja juaj e palëkundur, që beson te suksesi i këtij modeli dhe te fati ynë i përbashkët Euroatlantik.
Të punojmë që fëmijët tanë të rriten në një rajon ku kufijtë janë thjesht shenja administrative në hartë dhe ku e ardhmja është një: në familjen evropiane.
Të nderuar deputetë,
Gjeografia na bëri fqinj. Anëtarësia e përbashkët në NATO na ka bërë aleatë. Historia e dy dekadave të fundit na mësoi si të sillemi si partnerë të përgjegjshëm. E ardhmja na kërkon të veprojmë si faktorë stabiliteti dhe prosperiteti në rajon.
Jetojmë në kohë sfidash dhe ndryshimesh të mëdha. Bota nuk është e njëjtë. Evropa po kalon procese transformuese. Strategjitë e sigurisë janë rishkruar. Demokracitë janë përballë sfidave dhe qytetarët tanë kanë pritshmëri më të larta. Sfidat e kohës na kërkojmë një qasje reflektuese, të maturuar, strategjike dhe përfshirëse. Kushti i parë, dialogu dhe bashkëpunimi rajonal, janë tashmë fakte. Avancimi dhe aftësia për t’u përballur me sukses me sfidat e reja është përgjegjësi që kërkon adresim. Republika e Shqipërisë vjen sot këtu me vullnetin, dëshirën dhe ftesën e hapur për të bashkëpunuar akoma më shumë, më fort dhe pareshtur në këtë drejtim!
Ju faleminderit dhe suksese në punën tuaj!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb