Momente tensioni u regjistruan gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë, ku një grup mbështetësish të opozitës hodhën bomba molotov në drejtim të vilës 31, e njohur si shtëpia e ish-diktatorit Enver Hoxha, në zonën e Bllokut.
Sipas pamjeve që ka siguruar BalkanWeb, flakët kanë përfshirë pjesë të godinës, ndërsa në momentin e sulmit brenda ambienteve ndodheshin disa persona. Nga pamjet duket teksa ata vrapojnë në panik dhe të alarmuar.
Burime për BalkanWeb bëjnë të ditur se personat që ndodheshin brenda vilës 31 ishin të huaj. Gazetarja Klodiana Lala raporton se brenda kanë qenë punonjës të një OJQ franceze, mbi 7 persona te huaj.
Mes protestuesve dhe policisë pati momente me tensione dhe përplasje në disa zona të kryeqytetit. Efektivët ndërhynë duke përdorur ujë me presion dhe gaz lotsjellës.
Përfaqësuesit e PD thanë se nuk kishin dijeni nëse brenda vilës së diktatorit, e kthyer në rezidencë artistësh, kishte njerëz në momentin kur u hodhën bombat molotov.
