Kriza e aviacionit e shkaktuar nga përshkallëzimi i luftës mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izrael dhe Iran po thellohet, ndërsa mijëra fluturime vazhdojnë të anulohen dhe pasagjerët mbeten të bllokuar në disa prej aeroporteve më të mëdha në botë. “Për udhëtarët, nuk ka asnjë mënyrë për ta anashkaluar këtë”, tha Henry Harteveld, analist i industrisë ajrore dhe president i Atmosphere Research Group. “Duhet të jeni të përgatitur për vonesa ose anulime për ditët në vijim, ndërsa këto sulme vazhdojnë dhe shpresojmë të mbarojnë.”

Sipas platformës së ndjekjes së fluturimeve Flightradar24, hapësira ajrore mbi Iranin, Irakun, Kuvajtin, Izraelin, Bahreinin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katarin ishte pothuajse bosh deri të hënën. Ndikimi u përhap shumë përtej rajonit, me pasagjerë të bllokuar nga Bali deri në Frankfurt. Aeroportet kryesore të tranzitit në Gjirin Persik mbetën të mbyllura ose me operim shumë të kufizuar, përfshirë Aeroportin Ndërkombëtar të Dubait, Aeroportin Ndërkombëtar të Abu Dhabit dhe Aeroportin Ndërkombëtar Hamad.

Emirates, transportuesi më i madh ndërkombëtar në botë, pezulloi të gjitha fluturimet për në dhe nga Dubai deri në orën 15:00 (ora lokale e Emirateve) të hënën. Etihad Airways pezulloi të gjitha fluturimet për në dhe nga Abu Dhabi deri në orën 14:00. Qatar Airways njoftoi pezullimin e operimeve për shkak të mbylljes së hapësirës ajrore të Katarit. Ndërkohë, konflikti u përhap edhe në Liban, ku Izraeli kreu sulme ajrore në periferitë jugore të Bejrutit pas lëshimit të raketave nga Hezbollahu drejt territorit izraelit, duke mbajtur të mbyllur pjesën më të madhe të hapësirës ajrore rajonale.

Kriza ka krijuar një efekt domino në operacionet globale. Pilotët dhe ekuipazhet janë shpërndarë nëpër kontinente, duke e bërë jashtëzakonisht të vështirë rifillimin e menjëhershëm të fluturimeve sapo të rihapet hapësira ajrore. Pasagjerët përballen me mungesë informacioni dhe dyndje në aeroporte për shkak të anulimeve masive. Ndërkohë, për ata që kanë mundësi financiare, po shfaqen alternativa private. “Arabia Saudite është e vetmja mundësi reale për ata që duan të largohen nga rajoni tani”, tha për Semafor Ameerh Naran, drejtor ekzekutiv i Vimana Private, duke shtuar se çmimi i një avioni privat nga Riadi drejt Evropës mund të arrijë deri në 350 mijë dollarë.

Një krizë e pashembullt
Megjithëse rajoni është mësuar me ndërprerje sporadike vitet e fundit, analistët theksojnë se një mbyllje kaq e zgjatur — mbi 24 orë — dhe bllokimi i tre qendrave kryesore të tranzitit të Gjirit njëkohësisht është i pashembullt. Gjiri është gjithashtu një nyje kyçe për transportin ajror të mallrave, duke ushtruar presion shtesë mbi zinxhirët globalë të furnizimit, të cilët tashmë përballen me ndërprerje në transportin detar. Industria e aviacionit përballet me një nga sfidat më të mëdha të dekadës, ndërsa udhëtarët dhe tregjet globale presin me ankth stabilizimin e situatës në Lindjen e Mesme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb