Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali. Rreth mesditës së 22 shkurtit, ku është gjetur trupi i pajetë i 20-vjeçarit Riccardo Merkuri, i cili një ditë më parë ishte hedhur në ujërat e portit të Civitanova Marche. Sipas autoriteteve, gjithçka ndodhi pas një episodi të rëndë dhune në banesën e familjes, ku 20-vjeçari kishte ushtruar dhunë brutale ndaj nënës së tij Albana Kastrioti, duke e goditur me grushte në fytyrë. Si pasojë e dhunës, 53-vjeçarja pësoi frakturë të nofullës dhe u gjet e shtrirë në dysheme, e gjakosur dhe pa ndjenja, pas britmave që alarmuan fqinjët rreth orës 21:00.

Në momentin e ngjarjes, bashkëshorti i saj, Mario Merkuri, ndodhej jashtë banesës. Pas sulmit, i riu u largua me automjetin e tij, duke lënë celularin në shtëpi, dhe u drejtua për në Civitanova Marche. Automjeti u gjet pranë hyrjes së portit. Pamjet e kamerave të sigurisë e kanë filmuar fillimisht në hyrje të portit dhe më pas në momentin kur hidhej në det. Një regjistrim tjetër e tregon duke dalë sërish në sipërfaqe dhe duke u hedhur përsëri, pa u rishfaqur më. Operacioni i kërkimit u zhvillua nga zjarrfikësit, palombarët e Teramo, Garda Bregdetare dhe karabinierët. Trupi i pajetë u gjet një ditë më pas.

Aktualisht, Albana Kastriot ndodhet e shtruar në spitalin e Maceratës në gjendje të rëndë, nën kujdes intensiv. Familja, me origjinë shqiptare dhe prej më shumë se 20 vitesh në Itali, njihet mirë në komunitetin e Pollenzës. Për këtë ngjarje të rëndë flet në studion e emisionit me “Zemër të Hapur” mikesha e familjes, e cila rrëfen detaje dhe gjendjen e rënduar të nënës. Ajo tha se për moderatoren dhe autoren e emisionit Evis Ahmeti ajo tregoi se nëna nuk di asgjë mbi fatin tragjik të të birit, pasi ndodhet në koma.

“Ishim të gjithë në varrim. Kisha ishte e mbushur plot dhe atmosfera tepër e rëndë. Kam qëndruar për orë të tëra pranë vajzës, pasi ajo qante pa pushim. Mikesha ime ndodhet ende në koma pas një ndërhyrjeje kirurgjikale. Ajo nuk e di që i biri nuk jeton më, ka dy djem… Ende nuk e dimë saktësisht çfarë ka ndodhur. Në momentin e ngjarjes ndodheshin vetëm ajo dhe i biri.  Kur ke fëmijë, asgjë nuk është e garantuar; jeta mund të ndryshojë brenda një çasti. Ndoshta ka qenë një incident, ndoshta diçka e papritur, askush nuk e di me siguri. Kur familjarët mësuan se Riccardo ishte larguar nga shtëpia dhe policia kishte gjetur makinën në port, një grup të rinjsh shkuan menjëherë atje me shpresën se do ta gjenin. Menduan se mund të ishte fshehur diku. Pamjet e kamerave të sigurisë treguan se ai ishte hedhur në ujë, jo një herë, por dy herë. Në media u përhapën lajme se ai kishte qenë i dhunshëm, por kjo nuk është e vërtetë. Ish-e dashura e tij foli në kishë me shumë respekt dhe fjalë të mira për të. Ata kishin pasur një lidhje dyvjeçare, me vështirësitë e zakonshme që sjell rinia.

Duhet të flasim më shumë me të rinjtë, t’u qëndrojmë pranë dhe t’i dëgjojmë me kujdes. Jo të presim momentin e fundit, kur tragjedia tashmë ka ndodhur. Të gjithë kemi një përgjegjësi, edhe në mënyrën si gjykojmë dhe si flasim.  Mos të arrijmë deri aty sa të masakrohemi!”, e mbyll rrëfimin e saj mikesha e familjes.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb