Gazetari Almer Toska, i ftuar në studion e News24, ka komentuar zhvillimet e fundit mes politikës dhe drejtësisë në vend, duke u ndalur veçanërisht te situata e ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar arrestimin.
Sipas Toskës, Balluku mund të disponojë informacione lidhur me çështje që përfshijnë edhe kryeministrin Edi Rama. Ai tha se një nga skenarët që përflitet është se Balluku mund të ketë prova për përfshirje në afera të përbashkëta.
“Balluku është në një pozitë që kontrollon Edi Ramën sa kohë që ka prova të përfshirjes në afera të përbashkëta. Këto prova që ajo mund të disponojë janë një nga arsyet pse Rama mund të ndjehet i frikësuar prej saj dhe të shtyjë heqjen e mandatit”, u shpreh Toska.
Ai përmendi gjithashtu edhe një tjetër pretendim që qarkullon në qarqet politike, sipas të cilit Balluku mund të ketë ndikim mbi një grup deputetësh të mazhorancës.
“Përflitet se ajo ka rreth 20 deputetë që janë besnikë të saj dhe që mund të ndikojnë edhe në një skenar të mundshëm për rrëzimin e qeverisë në Kuvend në rast të një vote mosbesimi”, tha ai.
Toska theksoi se zhvillimet e fundit lidhen më shumë me çështje që kanë natyrë penale sesa me kërcënime politike. Sipas tij, kryeministri Rama ka bërë një lëvizje taktike duke e shkarkuar Ballukun nga detyrat qeveritare.
“Rama u tha ndërkombëtarëve që kërkonin largimin e saj se ishte i gatshëm ta shkarkonte, por nga ana tjetër duket se ajo vazhdon të ketë ndikim në strukturat e ministrive që drejtonte më parë, përmes njerëzve që konsiderohen besnikë të saj”, u shpreh gazetari.
Ai shtoi se në sfond të kësaj situate ekziston edhe një ndërthurje interesash ekonomike dhe politike mes investitorëve dhe aktorëve politikë në vend.
Duke folur për ecurinë e hetimeve, Toska u shpreh se sipas informacioneve që qarkullojnë, Balluku mund të përballet me pasoja të rënda ligjore nëse akuzat provohen në gjykatë.
“Mendoj se ajo që përflitet është se Balluku nuk do dalë nga kjo histori pa u dënuar të paktën 4-5 vite burg. Minimalisht nuk shpëton pa 5 vite burg. Mendoj se Balluku sipas informacioneve që kam është ministrja e parë femër që do dënohet me burg”, u shpreh ai.
Në fund, gazetari u ndal edhe te lëvizjet e mundshme ligjore të qeverisë, duke thënë se kryeministri Rama po përgatit ndryshime të reja në legjislacion dhe për këtë proces, sipas tij, po konsultohet edhe me ekspertë ndërkombëtarë. Sipas Toskës, në këtë kuadër përmendet edhe emri i Drago Kos, jurist dhe vëllai i komisioneres së BE për zgjerimin, Marta Kos.
