Deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo, ka ngritur shqetësime mbi menaxhimin e krizës së çmimeve të naftës në vend, duke akuzuar qeverinë për mungesë masash konkrete në mbështetje të qytetarëve dhe sektorëve të prekur.

I ftuar në programin e drekës në News24, Bozdo deklaroi se nuk është ndërmarrë asnjë hap real për të lehtësuar barrën ekonomike që rëndon mbi familjet shqiptare.

“Nuk janë marrë masa për përballimin e rritjes së çmimeve të naftës për të lehtësuar barrën ekonomike për qytetarët. Ka ndonjë masë për familjet në nevojë ekonomike, ka ndonjë masë për fermerët? Ndaj tyre ka një anti-masë, për dhënien e naftës pa akcizë, e eliminuan,” u shpreh ai.

Sipas tij, mekanizmat aktualë si Bordi i Transparencës nuk përbëjnë zgjidhje reale për situatën.

“Bordi i Transparencës që ngritën këta nuk është masë. Masa është se ku heq dorë qeveria nga të ardhurat e veta për të ndihmuar të prekurit nga kriza. Për çfarë i paguajmë taksat? Për ofrimin e shërbimeve, që në një moment të vështirë qeveria të jetë pranë qytetarëve,” tha Bozdo.

Ai theksoi gjithashtu mungesën e rezervave strategjike të naftës në vend, duke e cilësuar këtë si një problem serioz dhe shkelje të detyrimeve ligjore.

“Sot Shqipëria nuk ka naftë rezervë sigurie, nuk ka, e ka detyrim ligjor. Nuk ka asnjë mekanizëm që nëse BE thotë do lironi rezervën për të siguruar mbarëvajtjen e industrive, nuk bëhet dot,” deklaroi ai.

Bozdo kujtoi se vendi ka qenë i papërgatitur edhe në kriza të mëparshme, si pandemia dhe tërmeti.

“Sa herë ndodhin ngjarje të tilla jemi me duart lart. Ndodhi Covid, ishim me duart lart, ndodhi tërmeti, po ashtu. Ndodhi kjo me naftën, po ashtu jemi me duart lart,” u shpreh deputeti.

Ai iu referua edhe paralajmërimeve të Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, sipas të cilave stabilizimi i çmimeve të naftës mund të kërkojë disa muaj.

“Edhe sikur lufta të përfundojë nesër do kërkojë minimalisht nga 3-6 muaj që çmimet e naftës të stabilizohen sepse janë dëmtuar kapacitetet prodhuese, linjat logjistike dhe rezervat,” përfundoi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: