U bënë disa sfida në të cilat ballshiotët janë ndier të vjedhur, e madje episode kanë pasur ndikim edhe në rezultatin e ndeshjes siç ndodhi së fundmi në Elbasan. Megjithatë, presidenti Besnik Kapllanaj dhe stafi kanë kërkuar nga skuadra që të shohin përpara.
Bylisi ka dalë në stërvitje dhe ka nisur që të mendojë për një javë të ngjeshur. E pret Kupa e Shqipërisë, ndeshja e kthimit në Shkodër në mesjavë, ndërsa në fundjavë ka ndeshjen e fundit të fazës, mjaft vendimtare për mbijetesën, duelin me Vorën në “Adush Muçaj”. Ndaj edhe trajneri Mirel Josa dhe stafi kanë zhvilluar analizën postElbasani dhe menjëherë kanë nisur që të mendojnë fillimisht për Vllazninë në Kupën e Shqipërisë, e më pas për kampionatin.
Fundi i fazës së tretë e gjen skuadrën mallakastriote në duelin direkt me një rival për mbijetesën siç është Vora dhe Bylisi kërkon patjetër 3—pikët. Mallakastriotët edhe pse me shumë lëvizje janë shfaqur një skuadër më ndryshe, duke luajtur futboll të bukur, me raste por edhe e konsoliduar në reparte. Kujtojmë që edhe në ndeshjen e fundit, trajneri Josa nuk e pati grupin e plotë sepse munguan elementë si Bruno, Sulovari e Koxhi, me dëmtime e pezullime, megjithatë nga Kupa në mesjavë e deri te Vora në fundjavë, Bylisi do të ketë lëvizje në 11-she.
