Një rast tronditës në Korenë e Jugut ka shkaktuar debat dhe zemërim publik, pasi një grua 20-vjeçare e dyshuar për disa helmime vdekjeprurëse po merr mbështetje dhe admirim nga përdorues të shumtë në internet, të cilët madje kërkojnë lirimin e saj nga burgu. Policia arrestoi Kim Son Young, e cila dyshohet se ka helmuar disa burra gjatë muajve të fundit. Sipas hetimeve, tre prej rasteve ndodhën brenda një periudhe dy-mujore, ndërsa autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që numri i viktimave të arrijë deri në pesë. E reja, e cila ishte bërë e njohur në internet për pamjen e saj, përdorte blogun personal për të tërhequr ndjekës, shumica burra që e ftonin në takime. Kur pranonte të takohej me ta, ajo dyshohet se u hidhte fshehurazi në pije një përzierje qetësuesish. Nga këto raste, dy persona kanë vdekur, ndërsa një tjetër mbijetoi, por qëndroi në koma për dy ditë.
Pas arrestimit të saj, hetuesit gjetën në telefonin e Kim receta për përgatitjen e helmeve. Sipas policisë, ajo kishte kërkuar në mënyrë aktive në internet për ilaçe dhe përbërës të ndryshëm, duke eksperimentuar me kombinime dhe doza të ndryshme. Sipas raportimit të mediave vendase, 20-vjeçarja u diagnostikua me tipare psikopatie. Departamenti i Policisë së Distriktit Gangbuk në Seul bëri të ditur se ajo iu nënshtrua një testi psikologjik të posaçëm për identifikimin e psikopatisë dhe mori 25 pikë nga 40 të mundshme. Testi vlerëson karakteristika si impulsiviteti, mungesa e empatisë, gjakftohtësia dhe prirja për manipulim. Ndërkohë, mbështetja që ajo po merr në rrjetet sociale ka zemëruar familjet e viktimave. Të afërmit e njërit prej tyre kanë deklaruar publikisht se krimet mund të ishin parandaluar nëse policia do të kishte vepruar më shpejt.
Sipas avokatit të familjes, në fillim të shkurtit autoritetet kishin arritur ta identifikonin të dyshuarën përmes kamerave të sigurisë, por arrestimi nuk u krye në kohë. Sipas tyre, një reagim më i hershëm mund të kishte shmangur viktima të tjera. Alarmi i parë u dha më 29 janar 2026, kur një punonjës hoteli njoftoi policinë pasi nuk mundi të zgjonte një mysafir. Mjekët që mbërritën në vendngjarje konfirmuan vdekjen e një burri 20-vjeçar. Dymbëdhjetë ditë më vonë, një incident i ngjashëm ndodhi në një hotel tjetër në të njëjtën zonë, çka çoi në identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarës po atë mbrëmje. Rreth gjysmë ore para arrestimit, ajo kishte postuar një tjetër selfie në rrjetet sociale.
Gjatë marrjes në pyetje, Kim pranoi se u kishte dhënë burrave qetësues në pije, por pretendoi se kishte pasur mosmarrëveshje me ta dhe se synimi i saj ishte vetëm që ata të flinin. Fillimisht, ajo u akuzua për shkaktim të lëndimeve të rënda dhe shkelje të ligjit për drogën, por më vonë çështja u riklasifikua si vrasje. Hetimet tregojnë se incidente të ngjashme mund të kenë ndodhur edhe më herët. Më 14 dhjetor 2025, ajo dyshohet se i kishte dhënë një pije me qetësues të dashurit të saj 20-vjeçar. Rreth 20 minuta më vonë ai humbi ndjenjat në një kafene në periferi të Seulit dhe u zgjua vetëm dy ditë më vonë. Në fillim të janarit ai kishte paraqitur një ankesë pranë autoriteteve. Policia po analizon tani kontaktet e të dyshuarës dhe po heton për raste të tjera të mundshme. Hetuesit po kërkojnë burra që mund të kenë humbur ndjenjat pas takimeve me të ose që kanë marrë mesazhin: “Ti ra në gjumë, unë po iki e para.” Ndërkohë, popullariteti i saj në internet është rritur ndjeshëm. Numri i ndjekësve në rrjetet sociale u rrit nga rreth 200 në afro 10 mijë brenda vetëm 10 ditësh, ndërsa aktualisht ajo ka rreth 11,700 ndjekës.
