Një qytetar shqiptar që jeton në Gjermani i është bashkuar protestës së zhvilluar në Sheshin Skënderbej, duke e cilësuar atë si një nga momentet më të rëndësishme për vendin gjatë dekadave të fundit. Ai tha se protesta paqësore përfaqëson, sipas tij, një reagim ndaj pakënaqësive të akumuluara gjatë 36 viteve të fundit, duke përmendur pensionistët, studentët, mjekësinë, fermerët dhe arsimin.

“Në këto 36 vite, kjo protestë paqësore është gjëja më e bukur që po i ndodh vendit. Na kanë vjedhur lirinë, pensionistët, studentët, mjekësinë, fermerët dhe arsimin”, u shpreh ai.

Qytetari tha se përgjegjësia është edhe e qytetarëve, pasi sipas tij kanë toleruar për shumë vite politikat e ndjekura nga qeveritë e majta dhe të djathta. “Është edhe faji ynë, i kemi duruar këto 36 vite që na kanë vjedhur, majtas dhe djathtas”, deklaroi ai.

Sipas tij, Shqipëria ndodhet në një pikë kritike dhe ndryshimi duhet të vijë përmes një klase të re politike. “Shqipëria është në buzë të greminës. Nëse nuk bëhet këtë herë, nuk do të bëhet më. Duhet të punojmë për ndryshimin, për një klasë të re politike”, tha ai.

Qytetari u bëri thirrje shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit që të angazhohen dhe të marrin pjesë në protestë. “I bëj thirrje shqiptarëve kudo ku flitet shqip që të bashkohen. Të gjithë duhet të ngrihen në protestë, edhe fëmijët tanë”, u shpreh ai.

Në fund, ai falënderoi mediat që po pasqyrojnë protestën, duke përmendur veçanërisht News24. “Një falënderim kam për ju si media, jeni e vetmja media që e transmetoni dhe e mbani gjallë këtë protestë. Edi Rama i ka blerë të gjithë, me media dhe aktorë. Shyqyr që jeni ju, sepse ndryshe protesta do të ishte shuar”, deklaroi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: