Deputetja e PD Jozefina Topalli u shpreh ditën e sotme se votimi i ministrave ditën e sotme, “në mes të kaosit parlamentar”, është fytyra e një pushteti që po shkërmoqet.

Ajo shtoi se ministrat e vërtetë nuk janë në Parlament, por janë “kapot e grupeve të të fortëve që nuk dalin kurrë në kamera”.

Topalli nënvizoi se ndryshimi i rregullores së Kuvendit 5 muaj pas nisjes së punimeve është i pabesueshëm dhe se është shprehje e panikut të pushtetit që po rrëshqet.

“Votimi i ministrave të rinj në kaos parlamentar është fytyra e një pushteti që po shkërmoqet. Ndryshimi i ministrave pa kaluar 5 muaj dhe pa u mësuar emrin publiku është shprehej e një pushteti që po shembet. Këtyre mund t’u duket vetja ministra, por ministrat e vërtetë nuk janë në parlament. Ministrat e vërtetë janë kapot e grupeve të të fortëve që nuk dalin kurrë në kamera. Ndryshimi i rregullores në mënyrë të njëanshme pa kaluar 5 muaj është e pabesueshme por edhe kjo shprehje e panikut të pushtetit që rrëshqet. Dënimi i deputetëve të opozitës ndodh vetëm në vendet që rrëshqasin në diktatura dhe shqiptarët janë të vetëdjishëm në çfarë momenti po jetojmë ne. Pushtetet që rrëshqasin në bashkëpunim me krimin mendojnë se mund të përfitojnë nga momente kur fillojnë luftëra. Kur ne këtu vijojmë seancë plenare në kaos total, çfarë bën ky shtet për të mbrojtur njerëzit shqiptarë në vendet e Lindjes së Mesme. Ka pyetur ndokush nga ministria e Jashtme apo e Mbrojtjes. Në 3 dekada nuk ka ndodhur kurrë që kur të ndërrohen ministrat kryeministri të mos jetë. Nuk e di sa fuqi keni ju për t’i thënë se kjo nuk është përbuzje ndaj parlamentarizmit, por shkel mbi cdo gjë”, u shpreh ajo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb