Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i ftuar në News24 deklaroi se Policia e Shtetit nuk duhet të bëjë hapin e parë ndaj protestuesve në tubime, por të jetë një nivel më poshtë tyre dhe të reagojë në propocion me shkallën e dhunës.
Këtë teknikë operacionale ai e cilësoi edhe si “standardi i artë”, që të jenë të paanshëm në duelin e politikës dhe njëkohësisht të ruajë apo mbrojë institucionet.
Ai nënvizoi se edhe shkarkimi i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda, duhet sqaruar publikisht për motivet.
“Të thuhen arsyet e largimit të Ilir Prodës nga detyra. Duhet të sqarohet nëse largimi nga detyra u bë për sulmin ndaj Vilës 31 apo ka shkak tjetër”, tha Lleshaj.
Në lidhje me aktet e dhunës së uniformave blu ndaj protestuesve të opozitës më 28 shkurt dhe në tubimet e tjera, ai shpjegoi se duhet të gjendet “standardi i artë” nga institucioni i Policisë.
Madje këshilloi si ekspert i fushës së sigurisë, që Policia gjithmonë të veprojë pas akteve të protestuesve dhe jo para tyre.
“Policia duhet ë veprojë një hap më pas protestuesve, një nivel më ulët nga protestat apo sulmet e protestuesve. Ky do ishte një standard i artë për të ruajtur policinë nga ky duel politik. Unë them se ky është pozicioni i artë, që të mbrojë institucioneve, dhunë më pak në krahasim me atë të protestuesve dhe të mbrojë institucionet. Policia duhet të veprojë pas atyre përballë, jo ta bëjë ajo hapin e parë”, deklaroi ish-ministri i Brendshëm.
Ai shpjegoi edhe eksperiencën personale të lëvizjeve të drejtorëve të policive, por edhe motiveve, duke e ilustruar edhe me një shembull.
“Kur u zgjodha ministër, gjëja e vështirë ishte ndërrimi i drejtorëve, lëvizja e tyre. Kam pasur një rast konkret me një drejtues që kërkonte të ndryshonte dikë dhe i thashë se ai person plotësonte kushtet dhe se nuk mund të drejtonte me njerëzit që zgjidhte ai. Nuk mund të lëvizen njerëzit sipas dëshirës, por në mënyrë institucionale. Nuk duhen ndërruar njerëzit sa herë lëvizim ne”, vijoi ai.
Lleshaj shpjegoi edhe procedurën e zgjedhjes së kryepolicit të ri, pasardhësit të Ilir Prodës.
“Drejtori i përgjithshëm i Policisë zgjidhet me propozim të ministrit dhe miratim të kryeministrit. Të dy bien dakord për personin”, shpjegoi ai.
