Ka përfunduar manifestimi i sotëm anti-qeveritar në kryeqytet. Pas marshimit masiv përgjatë bulevardeve dhe akseve kryesore të Tiranës, turma e protestuesve është rikthyer sërish përpara godinës së Kryeministrisë, ku ka mbyllur aksionin e sotëm qytetar.

Pasi përshkuan disa nga rrugët kryesore të kryeqytetit duke lëshuar thirrje të forta për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe arrestimin e zyrtarëve të lartë, protestuesit u rigrupuan në sheshin përballë godinës së ekzekutivit. Rikthimi në pikën e nisjes shënoi edhe fazën përmbyllëse të tubimit.

Përfaqësuesit e protestës dhe aktivistët i falënderuan qytetarët për qëndresën, energjinë dhe mobilizimin e treguar gjatë gjithë ditës. Nga podiumi u përçua mesazhi se aksioni qytetar nuk do të ndalet dhe se prania në shesh do të vijojë deri në përmbushjen e të gjitha kërkesave.

Me thirrjet e fundit drejtuar qeverisë dhe me mesazhet e qarta për përballjet e radhës, turma e protestuesve nisi shpërndarjen nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb