Nisi fillimisht si një revoltë për kërkimin e të drejtave të grave në vitet 1908-1909 në Nju Jork, për t’u pasuar më tej me greva disaditore për përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e pagave, sot 8 Marsi Dita Ndërkombëtare e Grave kremtohet në forma të ndryshme. Vajza që hasin vështirësi për t’u integruar në shoqëri, gra që përballen me vështirësi në familje, vajza dhe gra që ngrihen mbi të keqen dhe ndërtojnë një të ardhme të sigurt për veten dhe familjen.
Me dëshirën e madhe për të ndjekur studimet në moshë fare të re, plot ëndrra dhe vizion për të ardhmen, Manushaqe Ismaili Shalsi rrëfen sesi në periudhën e komunizmit iu dha dhe më pas iu mohua e drejta e studimit, ndonëse ishte një nxënëse me rezultate të larta.
Vendim që asokohe për të dhe familjen e saj ishte një goditje e madhe që shënjoi fort në vijimësinë e jetës së tyre. Edhe pse një e drejtë iu mohua, Manushaqja nuk u dorëzua përpara fatit që të tjerët shkruan për të. Ajo vendosi që dhimbjen ta kthejë në ngadhënjim, duke hedhur në letër historinë e jetës së saj, ku sot numërohen disa vepra letrare të botuara prej saj.
