Në takimin e tij të zhvilluar me strukturat dhe mbështetësit në Vlorë, Ervin Salianji nuk i ka kursyer kritikat ndaj lidershipit të Partisë Demokratike Sali Berisha.

Salianji u shpreh se PD nuk mund të vazhdojë të jetë humbëse, ndërsa theksoi se qeveria sipas tij qëndron në këmbë për shkak edhe të pafuqisë së opozitës. Në përfundim Salianji bëri thirrje që qytetarët të bashkohen sepse sipas tij ndryshime do të vijë nga ‘sallat e mbushura plot dhe jo nga ata që ‘flenë mbi dafina e privilegje’.

“Qeveria qëndron në këmbë edhe për faj të pafuqisë së opozitës. Duhet të shkojmë te guximi për t’u hapur, te guximi për të pranuar njerëz të rinj. Shqipëria ka nevojë për një fillim të ri. Ky vend e ka energjinë, talentin dhe potencialin e njerëzve. PD duhet t’u japë zë qytetarëve dhe kjo bëhet me më shumë demokraci brenda partisë.

Vetëm një parti që është pranë qytetarëve mund të fitojë besimin e qytetarëve. Nga Vlora mund të fillojë një frymë e re, një frymë që thotë se politika nuk është vetëm për disa njerëz të privilegjuar që rrinë rrotull lidershipit, por për atë që punon e sakrifikon.

Ndryshimi do të vijë nga këto salla, ndryshimin do ta bëni ju, nuk ta bëjë askush tjetër përveç nesh sepse janë qetësuar dhe po flenë mbi dafina për shkak të privilegjeve. Ndaj kam një thirrje bashkohuni me ne, sepse do sjellim rotacionin politike në Shqipëri, ne do të fitojmë”, tha ndër të tjera Salianji.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb