Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar një denoncim në rrjetet sociale, ku thekson se janë disbursuar 848 milionë lekë, ose rreth 8.5 milionë euro, për një kontratë të lidhur me AKSHI-n.
Sipas Berishës, fondi i është kaluar kompanisë “Soft & Solution”, të cilën ai e lidh me Ermal Beqirin. Në reagimin e tij, Berisha pretendon se pagesa është kryer pavarësisht se Beqiri ndodhet nën masë arresti për një çështje që lidhet me AKSHI-n.
Ish-kryeministri e cilëson këtë rast si një tjetër shembull të keqmenaxhimit të fondeve publike dhe publikon edhe një mesazh që, sipas tij, i është dërguar nga një “qytetar dixhital”.
Në mesazh thuhet se:
848,000,000 lekë (8.5 mln euro) i kalohen sot kriminelit Ermal Beqiri me urdhër të Ramës!
Të dashur miq,
Pavarësisht se është i arrestuar për qindra milionë euro vjedhje në AKSHI, kopshtin privat të Edi Ramës për llogari të këtij të fundit, Rama urdhëron të shpërblehet sot edhe me 8.5 milionë euro të tjera kështjellari i tij.
Ky është shteti i kreut të Meduzës, apo padrinos së organizatës kriminale.
Lexoni denoncimin e qytetarit dixhital:
“Përshëndetje, Doktor. Ermal Beqirit i kanë kaluar sot, me urdhër nga lart, nga Ministria, gati 8 milionë e ca euro, me një përshkrim për AKSHI-n, për mirëmbajtje kompjuterike: 848,000,000 lekë për Soft & Solution.
AKSHI – Përmirësimi i shërbimeve elektronike me teknologji mikroservisi. Kontratë nr. prot. 116, datë 13.12.2024, Ministria e Financave, Tiranë.”
