SPAK ka njoftuar emërimin e Mentor Çuku në detyrën e zëvendësdrejtorit të Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH). Sipas njoftimit zyrtar, Çuku u përzgjodh pas një procesi konkurrimi ku aplikuan 11 kandidatë që plotësonin kriteret ligjore dhe profesionale për këtë funksion. Çuku është ndër hetuesit e parë të kësaj strukture dhe vëllai i ish-drejtuesit të policisë Artan Çuku, i vrarë në një atentat mafioz në vitin 2017.

Mentor Çuku aktualisht shërben si hetues në BKH dhe ka përvojë në hetimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe krimeve të rënda. Gjatë karrierës së tij ai ka qenë i përfshirë në një sërë hetimesh në këto fusha dhe, sipas SPAK, njihet për përvojën profesionale dhe aftësitë drejtuese.

SPAK sqaron se, sipas ligjit për organizimin dhe funksionimin e institucioneve që luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar, zëvendësdrejtori i BKH-së emërohet nga drejtori i Byrosë me pëlqimin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, pas një procesi të hapur përzgjedhjeje. Mandati në këtë detyrë është 4 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: