Këngëtari nga Bostoni, Tommy DeCarlo, ka ndërruar jetë në moshën 60-vjeçare. Lajmi për vdekjen e tij u konfirmua të hënën, më 9 mars, përmes një deklarate të publikuar nga familja. Sipas familjarëve, artisti ishte diagnostikuar me kancer në tru në shtator, ndërsa për disa muaj kishte zhvilluar një betejë të fortë me sëmundjen.

“Me zemër të thyer ndajmë lajmin e ndarjes nga jeta të babait tonë, Tommy DeCarlo, të hënën, më 9 mars 2026. Pasi u diagnostikua me kancer në tru në shtator, ai luftoi me forcë dhe guxim të pabesueshëm deri në fund”, thuhet në deklaratën e familjes.

Në mesazhin e publikuar, familjarët kërkuan gjithashtu që miqtë dhe fansat të respektojnë privatësinë e tyre gjatë kësaj periudhe të vështirë. “Gjatë kësaj kohe të vështirë, u kërkojmë miqve dhe fansave të respektojnë privatësinë e familjes sonë ndërsa ne vajtojmë dhe mbështesim njëri-tjetrin. Pusho në paqe, baba”, përfundon deklarata.

Tommy DeCarlo ishte një zë i njohur i rock-ut amerikan dhe gjatë karrierës së tij fitoi një bazë të madhe fansash falë performancave dhe interpretimit të tij karakteristik në skenë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb