Ashtu siç e kishte paralajmëruar, mazhoranca socialiste rrëzoi me forcën e kartonëve kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për autorizimin e një mase arresti ndaj ish.zv.kryeministres Belinda Balluku, ndërkohë që opozita protestonte jashtë Kuvendit.
Një kordon metalik dhe dhjetra oficerë dhe autoblinda policie kishin rrethuar perimetrin e godinës së Kuvendit dhe rrugët përreth të enjten, ndërsa po zhvillohej seanca plenare për imunitetin e deputetes Belinda Balluku, ish zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, e marrë e pandehur për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera në mënyrë të përsëritur.
Ndërsa mbështetësit e opozitës po protestonin jashtë Kuvendit me thirrje kundër korrupsionit dhe qeverisë, mazhoranca socialiste në sallë, ashtu siç kishte paralajmëruar, doli në mbrojtje të Ballukut duke rrëzuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e saj. Me 82 vota kundër, mes të cilave edhe ajo e kryeministrit Edi Rama që dirigjoi mbrojtjen politike të bashkëpunëtores së tij, kërkesa e SPAK u rrëzua të enjten nga Kuvendi pasi ishte zvarritur për gati tre muaj.
Vetë Balluku mungoi në seancë, duke hequr dorë nga e drejta e fjalës përpara deputetëve. Deputeti Ulsi Manja nga Partia Socialiste lexoi raportin e shumicës, përmes së cilës hidhej poshtë argumenti i Prokurorisë së Posaçme për rrezikun e provave nga ana e Ballukut. Sipas Manjës, ky rrezik kishte ndryshuar me shkarkimin e Ballukut nga detyrat e saj ekzekutive. Ndërsa Oerd Bylykbashi lexoi raportin e opozitës, ku kërkohej pranimi i kërkesës së SPAK si e bazuar në dispozita ligjore dhe nevojën për zhveshjen nga imuniteti parlamentar para drejtësisë.
Seanca e së enjtes ishte epilogu i një procesi të gjatë, ku mazhoranca për herë të parë që nga vënia në funksion e organeve të reja të drejtësisë, del kundër një kërkese të SPAK për heqjen e imunitetit të një deputeti. Mbrojtja politike dhe ligjore ndaj Ballukut u inicua nga Kryeministri Edi Rama i cili ndryshoi kursin e qëndrimit të tij ndaj reformës në drejtësi, duke tentuar fillimisht të rrëzonte në Gjykatën Kushtetuese masën e sigurisë ‘pezullim nga detyra’ dhe më pas duke përdorur forcën e kartonave në Kuvend për të rrëzuar kërkesën e prokurorisë për arrestimin e saj. Sjellja e Ramës ndaj drejtësisë ka shkaktuar shqetësim tek vendet e Bashkimit Europian, të cilat kanë mbështetur reformën në drejtësi prej vitit 2016 e deri tani.
Para se Kuvendi të votonte, Ambasada Britanike në Tiranë mbajti një qëndrim publik duke theksuar se “imuniteti parlamentar nuk duhet të jetë pengesë për llogaridhënie të barabartë para ligjit”. Po ashtu, Ambasada Britanike apeloi për “rëndësinë e ruajtjes së sundimit të ligjit dhe pavarësisë gjyqësore”. Ambasada Gjermane po ashtu reagoi pasi mazhoranca rrëzoi kërkesën e SPAK, duke kërkuar që ndjekja penale ndaj korrupsionit në rastet e rangut të lartë të bëhet pa pengesa. Duke e konsideruar një kusht të domosdoshëm për integrimin, Ambasada Gjermane deklaroi se: “Pritshmëria jonë e qartë është që edhe në këto raste, ndjekja penale përmes drejtësisë të mund të realizohet shpejt dhe pa pengesa. Prej politikës shqiptare vazhdon të kërkohet ende që ta garantojë këtë proces”.

/Reporter.al
