Deputeti i PD, Belind Këlliçi, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24, ka reaguar lidhur me zhvillimet e sotme në Parlament, ku mazhoranca socialiste e drejtuar nga kryeministri Edi Rama votoi kundër dhënies së autorizimit për SPAK për arrestimin e ish-zv/kryeministres Belinda Balluku.

Këlliçi akuzoi kryeministrin Rama se nuk është i interesuar për integrimin e Shqipërisë në Bashkimi Evropian, pasi sipas tij, anëtarësimi në BE do të sillte më shumë monitorim dhe kontroll mbi qeverisjen.

“Rama është njeriu më pak i interesuar që Shqipëria të jetë në BE, si kryeministri më i korruptuar në Europë. Kur je në BE je i monitoruar dhe ka masa shtesë. Sigurisht që Edi Rama nuk e do këtë”, u shpreh ai.

Deputeti demokrat kritikoi gjithashtu stilin e jetesës së kryeministrit, duke përmendur shpenzime të konsiderueshme për aktivitete dhe evente jashtë vendit.

“Nuk mund të jesh kryeministër i një vendi që synon BE-në dhe të pish shishe vere 33 mijë euro, të shohësh ndeshje basketbolli me vlerë 30 mijë euro apo të hapësh ekspozita me zhgarravina në Hong Kong dhe Shanghai”, deklaroi Këlliçi.

Ai e cilësoi vendimin e sotëm në Parlament si një akt që, sipas tij, tregon se Rama është kundër aspiratës perëndimore të shqiptarëve për t’u bashkuar me familjen europiane.

Këlliçi komentoi edhe tensionet në seancën parlamentare, duke përmendur një situatë të pazakontë sigurie në sallë dhe duke akuzuar deputetin socialist Taulant Balla për provokime gjatë debatit.

“Sot u vendos një standard në Parlament ku deputeti Taulant Balla kishte një rojë personale. Nuk kam parë kurrë të ketë gardist mes dy kampeve në Parlament. Kërkonin të shkaktohej incident në Parlament”, tha ai.

Në përfundim, Këlliçi bëri thirrje për reagim të fortë opozitar, duke theksuar se sipas tij protestat janë një nga mënyrat për të kundërshtuar vendime të tilla politike.

“Duhet të ketë reagim radikal në të gjitha format në protestë. Është e kotë të shkosh në një parlament që ka mandat të posaçëm për të vjedhur qytetarët shqiptarë. Ata ministra aty kanë detyrë të shkojnë në zyrë dhe të vjedhin qytetarët”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb