Ish-ambasadori Agim Nesho ka komentuar krizën politike në Kosovë, duke e cilësuar atë si një situatë të tejzgjatur që kërkon reflektim dhe konsensus nga klasa politike.

Nesho theksoi për P”rogramin e drekës” në News24 me Ola Brukon se problemi nuk lidhet vetëm me numrat apo ndarjen e posteve politike, por me nevojën për të mbrojtur interesat dhe sovranitetin e Kosovës. Sipas tij, përplasjet e brendshme institucionale dhe politike duhet të kanalizohen drejt çështjeve që janë jetike për vendin, pasi zgjatja e krizës rrezikon të dëmtojë kredibilitetin e Kosovës në sytë e ndërkombëtarëve.

Ish-ambasadori kundërshtoi idenë e zgjedhjes së një presidenti që do të ishte thjesht figurë simbolike, duke theksuar se partia që ka fituar zgjedhjet duhet të jetë në gjendje të bashkëpunojë me personalitete të përshtatshme për këtë post. Duke folur për Albin Kurtin, Nesho tha se nuk e sheh situatën si një problem kardinal për kryeministrin, por si një çështje që mund të zgjidhet përmes një marrëveshjeje politike.

Ai vlerësoi gjithashtu disa aspekte të qeverisjes së Kurtit, duke e përshkruar si një figurë me karizëm dhe vizion për të ardhmen e Kosovës, ndërsa theksoi se Vetëvendosje ka ndjekur një linjë të fortë parimore. Nesho shtoi se ngërçi aktual mund të zgjidhet vetëm nga partitë politike në Kosovë, ndërsa propozimet dhe alternativat e ndryshme për zgjidhjen e krizës duhet të shërbejnë për arritjen e një kompromisi politik.

“Është një moment për reflektim nga politikanët në Kosovë. Është krizë e tejzgjatur. Po humbet kredibiltetit në sytë e ndërkombëtarëve. Problemi nuk janë numrat, apo ndarja e pozicioneve partiake për të ashtuquajturat balanca demokratike. Por interesat e Kosovës duhet të sigurojnë sovranitetin. Çështjet e institucioneve, luftërat e brendshme, duhet të kanalizohen te gjërat jetike të Kosovës. Sa më shpejt ta gjejnë zgjidhjen, që është ajo klasë politike, që janë të afta mendoj të arrijnë një konsensus të gjerë për të përballuar këtë krizë. Nuk duhet të zgjidhet një president kukull, por partia që ka fituar zgjedhjet, është e aftë që të bashkëpunojë me personalitete që do të vendosen në këtë detyrë. Nuk e mendoj se është problem kardinal kjo për Kurtin. Duhet të gjendet një zgjidhje politike, kompromis, asgjë nuk rrezikohet. Shumë nga partitë politike në Kosovë, po luajnë lojën e tyre. Kemi një propozim që presidenti Thaçi të rikthehet në funksion, kjo dhe për të lehtësuar situatën e tij. Veprimtarinë e Vetëvendosjes së Kurtit, që deri tani ka disa veçanti në qeverisjen e tij, që nuk është i korruptuar në këtë bashkësi ballkanike. Ai është një njeri që ka një karizëm, ide, që drejton një parti me vizion për të ardhmen e Kosovës. Është një person që është dalluar në luftën parimore që mos t’u krijojë asnjë kompromis. Ngërçin mund ta zgjidhin vetë partitë politike në Kosovë.”, tha Nesho.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: