Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, në prag të mbledhjes së Këshillit Evropian më 19 dhe 20 mars në Bruksel, ka theksuar se kriza në Lindjen e Mesme mbetet e paparashikueshme, pasi sipas tij nuk është e qartë se cili është objektivi përfundimtar i konfliktit.
Në një intervistë për European Newsroom (ENR), Costa nënvizoi se Bashkimi Evropian është i shqetësuar për përshkallëzimin e situatës dhe pasojat e saj në sigurinë globale dhe ekonominë botërore. Ai theksoi se BE-ja duhet të marrë masa të përkohshme për të përballuar rritjen e çmimeve të energjisë si pasojë e konfliktit.
Duke folur për situatën në Ngushticën e Hormuzit, Costa theksoi rëndësinë e vetëpërmbajtjes dhe dialogut, duke e cilësuar diplomacinë si të vetmen rrugë për të garantuar lirinë e lundrimit dhe stabilitetin në rajon.
Ai paralajmëroi për rreziqe të mëdha që lidhen me sigurinë evropiane, ekonominë, krizën humanitare dhe rritjen e terrorizmit, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të respektojnë të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara.
Në fund, Costa theksoi se ka përputhje të plotë mes qëndrimeve të tij dhe atyre të Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, sidomos për sa i përket mbështetjes për sistemin shumëpalësh dhe respektimit të së drejtës ndërkombëtare.
