Në fund të vitit 2022, një ambulancë u ndal pranë një pallati të bombarduar në këtë fshat jashtë Kievit. Tre persona dolën. Njëri mbante veshur një bluzë me kapuç gri, një tjetër një kapuç bejsbolli. Të dy kishin maska që ua mbulonin fytyrat.
I treti ishte më lehtë i identifikueshëm. Ai nuk ishte i maskuar dhe kishte një krah dhe dy këmbë protetike, thanë dëshmitarët për Reuters. Burrat e maskuar mbanin shabllone kartoni nga ambulanca dhe i ngjitën me shirit ngjitës në atë që kishte qenë një mur i brendshëm i një apartamenti përpara se rusët ta shkatërronin vendin. Pastaj nxorën kanaçe me bojë spraj dhe filluan punën. Një imazh absurd u shfaq brenda pak minutash: një burrë me mjekër në një vaskë, duke fërkuar shpinën mes rrënojave.
Krijuesi i saj ishte Banksy, një nga artistët më të njohur dhe enigmatikë në botë, identiteti i të cilit është debatuar dhe ruajtur nga afër për dekada të tëra. Banksy njihet më së miri për pikturat e thjeshta por të sofistikuara. Puna e tij ka gjeneruar dhjetëra miliona dollarë në shitje gjatë viteve. Duket se emri më i mundshëm që qendron pas artistit është Robin Gunningham, i lindur në Bristol. Mediat ndërkombëtare kanë publikuar edhe një foto të artistit.

Dikur një bezdi për autoritetet që e shihnin si vandal, ai është bërë një thesar kombëtar britanik. Në një sondazh, britanikët e vlerësuan atë më të popullarizuar se Rembrandt dhe Monet. Në një sondazh tjetër, piktura e tij “Vajza me tullumbace” u votua si vepra e artit e preferuar nga ato që Britania ka prodhuar.
Disa kritikë besojnë se anonimiteti i Banksy-t është po aq i rëndësishëm për punën e tij sa bojërat. Shtypi britanik ka botuar shumë artikuj gjatë viteve që janë përpjekur të nxjerrin identitetin e tij. Megjithatë, Banksy dhe rrethi i tij i ngushtë nuk flasin për këtë. Disa kanë nënshkruar marrëveshje konfidencialiteti. Të tjerë heshtin nga besnikëria, ose nga frika se mos e sulmojnë artistin, fansat e tij dhe kompaninë e tij me ndikim, Pest Control Office, e cila vërteton punën e tij dhe vendos se kush ka shansin e parë për të blerë veprat e fundit të Banksy-t.
